Banorët e fshatit Gushavc në Mitrovicë ankohen se nuk kanë ujë të pijes që një javë - VIDEO

Banorët e fshatit Gushavc të Mitrovicës janë ankuar se tash e një javë po përballen me mungesë të ujit të pijes.

Banorët thonë se po mundohen të gjejnë mënyra alterantive për të siguruar ujë.

Qytetari Xhemil Sadiku tregoi për KALLXO.com se ata duhet të mbushin ujë në vende të tjera ose ta blejnë vetë atë.

Sipas tij, ky është një problem afatgjatë me të cilin po përballen.

“Që shtatë apo tetë ditë jemi pa ujë të pijes, pompat që i kemi aty te fshati i ulët afër xhamisë, po na shkaktojnë problem me bartjen e ujit”-ka treguar Sadiku.

Ai shtoi se si banorë të fshatit janë organizuar disa herë për t’i rregulluar vetë pompat.

“Nja dy herë apo tri kemi organizuar si fshat me i ndreq vetë pompat e tash pompat nuk punojnë”- ka thënë ai.

Edhe qytetari tjetër, Sahit Hajra, ka thënë se që shumë vite kanë problem me furnizim të ujit të pijës.

“Që 12 apo 13 vite kemi problem me qito pompa, kush nuk po na ndihmon, në kohën e Agim Bahtirit (ish-kryetar i komunës) kanë punuar mirë, po apet janë prishë”-tha ai për KALLXO.com.

Jashar Sadiku, banori tjetër i fshatit Gushavc, ka treguar se dy lagjet në këtë fshat nuk kanë ujë.

“Unë jam banor i lagjes ‘Bejtullah Sahiti’, kurse lagjja tjetër ‘Rrahim Hajdari’, d.m.th dy lagjet jemi pa ujë që shtatë ditë”- tha ai.

“Kërkesë kemi bërë tek ujësjellësi, arsyeja e tyre është se kanë dalë e kanë parë terrenin, a nuk janë ardhë hala me këqyrë e me tregu arsyen pse, e krejt kjo mbetet në ndërgjegjen e ujësjellësit dhe me ditë arsyen se pse nuk po intervenojnë”-ka treguar Sadiku.

Sadiku tha se “pasi që janë djegur pompat e ujit në këto lagjen kanë mbetë diku rreth 20 shtëpi pa ujë më shumë se shtatë ditë”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me shefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Niman Baliu, por sipas tij, çështja e mungesës së ujit në fshatin Gushavc dhe Vidimriq është kompentencë e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Kjo çështje është në kompetencat e komunës veriore, në veri ne nuk kemi qasje për me shtri shërbimet tona atje e as me i mbikëqyrë”- ka thënë Baliu.

Tutje ai thotë “se ujin nuk e ndalojnë dhe se uji shkon në veri që 24 vite, por vetëm nuk kemi qasje dhe është detyrë e komunës veriore”.

Por sipas banorëe fshati i përket Mitrovicës së Jugut dhe prandaj janë ankuar në këtë komunë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin për Shërbime Publike dhe Infrastruktuore në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Granit Tmava.

“Unë me banorët sot u takova, sipas banorëve kanë disa probleme dhe defekte me pompat e ujit, besoj që ujësjellësi duhet me reagu dhe me e rregullu, e sipas banorëve ende nuk e kanë rregulluar ”- ka thënë Tmava më 06.11.2024.

Zyrtari i komunës u zotua se nëse KRU “Mitrovica” nuk iu del në ndihmë banorëve, për këtë çështje do të gjejë zgjidhje vetë komuna.

“Nëse ujësjellësi nuk iu del në ndihmë, une jam i interesuar me ju dalë në ndihmë, sepse jemi duke folur për dy lagje”- potencoi ai.

Tmava përfundoi se do të kontaktojë përsëri me kompaninë e ujësjellësit dhe do të mundohen të bëjnë zgjedhjen e këtij problemi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Mitrovicës së Veriut, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.