Mungesa e ujit Ilustrimi: Pixabay
Banorët e disa lagjeve të Prizrenit ankohen për reduktime të gjata të ujit që tre muaj
Banorë të disa lagjeve në Prizren po përballen me reduktime të ashpëra të ujit tash e tre muaj, ndërsa nga kompania e ujësjellësit zotohen se reduktimet do të ulen nga java e ardhshme.
Astrit Bytyqi, banor i rrugës “Nurie Shala” tha se që tre muaj muaj nuk kanë ujë.
“Në mëngjes ose mbrëmje pak si me thënë, sa me i mbushë do sene, do bidona” – thotë ai për KALLXO.com.
“Është shqetësim i madh pa ujë, çka me bo… kemi bë ankesa, në ‘Hidroregjion’ jemi shku, jo është problemi në bazena” – tha Bytyqi.
Njësoj shprehet edhe banori tjetër, Flamur Jasharaj.
‘’Veç po presim, i kemi parasysh do të marrim masa, do ta rregullojmë e në realitet s’po rregullohet kurgjo, veq kështu po vazhdohet”- tha ai.
Arben Idrizaj thotë se 800 ose 900 shtëpi nuk kanë ujë.
“E kemi thirrë ‘Hidroregjionin’, janë përgjigjë duke thënë se ‘hajt se marrim masa’”- tha ai.
Ramadan Uka banon në rrugën ‘Hysen Ramadani’. “Ujë nuk kemi vallai, jemi në zor”- tha ai për KALLXO.com.
“Në këtë kohë, në vitin 2024, qytetarët me vujtë për ujë, nuk është në rregull. Deri të mbushet një kovë me ujë duhet të pritet një orë”- tha ai.
Për gjendjen me mungesën e ujit, KALLXO.com ka kontaktuar kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, Fadil Berisha.
Ai ka treguar arsyet se pse ka reduktime të ujit.
“Nga mesi i muajit korrik – 2024 jemi ballafaquar me rënie të nivelit të burimeve të ujit, rënie që ka vazhduar deri tani. Edhe pse për momentin kemi një stabilizim të nivelit të burimeve, kapacitetet ekzistuese na kanë detyruar të aplikojmë reduktime të pjesshme në disa zona problematike, gjithmonë me qëllim që edhe zonat e fundit të kenë furnizim. Fjala është sidomos për lagjet ‘Bajram Curri’ dhe ‘Arbana’”– tha Berisha më 18.10.2024.
I pyetur nga ekipi i KALLXO.com se kur pritet që të mos ketë më reduktime të ujit.
Berisha u përgjigj se reduktimet pritet të pakësohen që nga e hëna (21.10.2024).
“Reduktimet do të fillojnë të zvogëlohen nga e hëna. Eliminimi i plotë i reduktimeve do të varet nga rritja e nivelit të ujit në burimet kryesore”- tha ai.
Ai shtoi se paralelisht janë duke u angazhuar për identifikimin dhe shkyçjen e lidhjeve ilegale.
Sipas tij, nga janari deri në shtator 2024 janë identifikuar dhe shkyçur nga rrjeti mbi 774 lidhje ilegale.