Punimet e KEDS-it për kabllot elektrike nëntokësore, Foto: KALLXO.com

Banorët e 'Bregut të Diellit' ankohen se punimet për kabllot nëntokësore të rrymës janë lënë në gjysmë

Disa banorë të lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, janë ankuar në KALLXO.com se disa punime të cilat janë duke u kryer në  këtë lagje, nuk kanë përfunduar ndërsa vërshimet kanë shpalosur rërën nga kanalet ku janë vendosur kabllot nëntokësore të tensionit të lartë të energjisë elektrike.

Në disa fotografi të cilat banorët i kanë dërguar në KALLXO.com, shihet edhe largimi i rërës me të cilën i kanë mbuluar punëtorët kanalet.

“Ka një muaj që janë hapur kanalet për shtrimin e kabllove, ndërkohë janë shtrirë kabllot dhe kanali është mbuluar vetëm me rërë. Reshjet e shiut që po ndodhin e kanë nxjerrë rërën nga kanali dhe tani përveç rrezikut nga rënia eventuale, siç shihet në fotot kanë filluar kabllot e tensionit të dalin në sipërfaqe”, ka thënë banori i lagjes “Bregu i Diellit” për KALLXO.com.

Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e KEDS-it.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se punimet nuk kanë përfunduar ende.

“Ky është investim në proces. Do të thotë punimet nuk kanë përfunduar ende. Nuk paraqet rrezik, pasi këto kabllo janë të izoluara dhe ashtu janë të pa-energjizuara. Me të përfunduar punimet KEDS do ta rikthejë në gjendje të mëparshme”, ka thënë Buzhala për KALLXO.com.

 

Punimet e KEDS-it për kabllot elektrike nëntokësore, Foto: KALLXO.com
Punimet e KEDS-it për kabllot elektrike nëntokësore, Foto: KALLXO.com
Punimet e KEDS-it për kabllot elektrike nëntokësore, Foto: KALLXO.com