Banorët e Bitisë së Poshtme vazhdojnë protestën kundër hidrocentralit - VIDEO

Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Lepenc.

Ata, ka një kohë të gjatë që janë kundër ndërtimit të këtij hidrocentrali nga kompania ‘MATKOS Group’.

Banorët e këtij fshati gjatë ditës së sotme janë ankuar se gjatë punimeve ka pasur devijim të pikave të projektit.

Jeton Tahiri, që është banor i këtij fshati, thotë se ka dalë në protestë për ta mbrojtur natyrën dhe ujin. Sipas tij, ai nuk po proteston vetëm për interesa personale, por për të mirën e gjithë vendit.

Ai thotë se Kosova është e varfër me burime ujore dhe për këtë arsye duhet të mbrohen lumenjtë.

“Sot kam dalë në protestë për me e mbrojtë lumin Lepenc, për ta mbrojtë natyrën dhe le ta dinë të gjithë se ne nuk po protestojmë vetëm për interes tonin, se uji nuk është vetëm për ne. Mirëpo mbas informatave që i kam dhe sa kam mujt me lexu edhe dëgju, Kosova si shtet, është një nga më të varfrat në Evropë dhe në botë me burime ujore. Ne po protestojmë, mendoj që qytetarët e kanë një vetëdije mjaft të plotë se janë vetëdijësu, se ka mungesë të ujit dhe me i mbrojtë ujërat”, thotë ai.

Tahiri thotë se banorët e fshatit nuk janë kundër ndërtimit të hidrocentraleve, por të ndërtimit të tyre në këtë mënyrë, ku uji futet në gypa.

“Ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentralit në këtë mënyrë. Ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentralit në këtë mënyrë, ne nuk jemi kundër hidrocentralit, në qoftë se bëhet një ujëmbledhës ose një digë atje poshtë, edhe të ndërtohet një hidrocentral që prodhon rrymë pesëfish më shumë se këta minihidrocentrale që janë duke u ndërtuar sot. Mirëpo jo në këtë mënyrë, me e fut ujin në gypa, me e zhdukë ujin, por në mënyrë të hapur”, thotë Tahiri.

Edhe banori tjetër i këtij fshati, Ragip Rushiti, thotë se ndërtimi i një hidrocentrali të tillë i dëmton ata si banorë.

Rushiti ka thënë se do të vazhdojnë të protestojnë dhe ka bërë thirrje për institucionet që të reagojnë dhe të ndërpritet degradimi i natyrës.

Ndërtimi i hidrocentralit neve na dëmton shumë, si banor i thjeshtë ndoshta nuk mundem me e ditë më shumë, por unë e di që më shumë dëme është duke iu bërë kësaj popullate, se sa që i bije përfitime… Ne do të vazhdojmë ende, lusim organet që të ndërmerren masat, të ndërpritet ky degradim i natyrës. Unë po habitem, se si munden një ose dy persona me u bo pronar të gjithë kësaj natyre që e ka kriju perëndia. Domethënë natyrën me e shkatërru një pronar ose dy”, tha Rushiti.

Banorët e këtij fshati kishin mbajtur protestë edhe me datën 8 tetor të këtij viti, ku ndaj tyre kishte ndërhyrë policia dhunshëm, duke mbetur të lënduar disa persona, mes tyre edhe fëmijë.

Pas kësaj proteste, organizatat e shoqërisë civile kishin reaguar, duke e dënuar dhunën e policisë ndaj protestuesve, që mes tyre kishte edhe fëmijë dhe gra.