Banorët e Bitisë së Poshtme në protesta edhe në kohën e coronavirusit

Disa banorë të fshatit Biti e Poshtme sot kanë protestuar pranë lumit Lepenc kundër punimeve të cilat po zhvillohen për hidrocentrale.

Sipas Agron Rushiti, banor i këtij fshati, frika e bartjes së sëmundjes i ka shtyrë ata të dalin në protestë.

“Sot jem dalë për shkak të coronavirusit se aty ka punëtorë të të gjitha anëve, Prizren, Suharekë, Ferizaj e Kaçanik kështu që nga frika se mos po na sjellin sëmundjen për atë arsye si dhe për shkak të lumit që po futet në gypa”, ka thënë Rushiti.

Investitori, Labinot Vitija, pronar i MATKOS Group në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se sot ka ndërprerë punimet në hidrocentral.

“Po i kam ndalë punimet, pasi zëvendës ministri Avni Zogiani ishte në terren dhe siç duket i paska ftuar banorët për protestë”, ka thënë Vitija.

Gjithashtu Vitija ka kërkuar që zëvendësministri dhe të tjerët, kurdo që duan mund ta kontaktojnë investitorin, pasi sipas tij nuk e kanë bërë në asnjë vizitë deri më tash.

“Kërkoj që zëvendësministri të na kontaktojë edhe neve si investitorë për shkak se nuk e ka bërë asnjëherë në asnjë vizitë të tijën dhe nuk është e drejtë, unë e ftoj atë publikisht në takim që të bisedojmë rreth situatës”, ka përfunduar ai.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar zëvendës ministrin Avni Zogiani, i cili ka thënë se ka dalë në Biti të Poshtme për të parë nëse janë duke u zhvilluar punimet pasi inspektorët nuk janë në punë për shkak të vendimit të qeverisë për limitim të numrit të punëtorëve.

“Po kam qenë sot në fshatin Biti, unë jam takuar vetëm me dy-tre banorë, kam shkuar t’i vizitoj për shkak se kanë probleme me furnizim, nuk kam marrë pjesë në turmën që qenkan mbledhur, kam dalë me i shiku punimet a po shkojnë sipas planit për shkak se ata që e bëjnë këtë punë, inspektorët, nuk janë në punë sepse e kemi limituar numrin e punëtorëve në ministri, ka thënë Zogiani.

Banorët e këtij fshati janë duke protestuar për mbrojtjen e lumit që nga viti 2015.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.