Banorët ankohen se ushqimet e djegura në ‘Super Viva’ në Lipjan kundërmojnë - VIDEO

Dhjetë ditë më parë në rrugën “Skënderbeu” afër tregut në Lipjan është djegur depo e ushqimit në supermarketin “Super Viva”. Pas djegies askush nuk i ka larguar ushqimet e djegura nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e kësaj ka filluar kundërmim i ushqimeve të djegura dhe qytetarëve u është vështirësuar jeta.

 

Mërgimtari Islam Pacolli thotë se në Kosovë ka ardhur për pushime, mirëpo pushimet nuk janë duke u shkuar ashtu siç e ka paramenduar pasi që banesa e tij është mbushur me erë të rëndë.

“Nuk po mundem me i hapë dritaret. Zhegu është i madh edhe era. Unë tash e dy ditë jam si në tug (vjellje), jam blloku. Era është shumë e rëndë për çka nuk i kanë hekë kaq shpejtë nuk e di”, tha ai për KALLXO.com.

Të njëjtin problem e ka edhe qytetari tjetër, Sami Pacolli.

“Për momentin është një erë shumë rëndë por në mbrëmje bëhet hala ma e rëndë. Ne nuk mundemi me kapërcye këtej se është erë shumë e rëndë”, shprehet Pacolli.

Kallxo.com ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët e “Super Viva”-s, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

Zëdhënësi i komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, thotë se menjëherë pas djegies së “Super Vivës” komuna dhe inspektorati kanë dal në vend të ngjarjes.

Ai thotë se deri sot kanë pritur nga inspektorati që të bëjnë vlerësimin dhe asgjësimin e ushqimeve dhe pastaj komuna të filloj pastrimin e vendit të ngjarjes.

“Ne si komunë, inspektorati sanitar dhe inspektorati i ministrisë kanë dal në vend të ngjarjes, mirëpo është dashur të pritet edhe inspektorati i ATK-së që të bëhet vlerësimi komplet i dëmit pastaj të asgjësohet. Deri sot i kemi pritur edhe inspektoratin që të vijnë të vlerësojnë dëmin dhe ne si komunë pastaj të kemi mundësi ta largojmë dhe pastrojmë vendin e ngjarjes”, sqaron ai për KALLXO.com.

“Super Viva” është djegur më 17 korrik të këtij viti.