Gjakova

Banorë të tre fshatrave në Gjakovë, peticion me tre kërkesa për pushtetin qendror e lokal

Banorë të fshatit Doblibarë, Berdosanë dhe Vraniq të komunës së Gjakovës po ankohen për lënie pas dore, nga pushteti lokal dhe ai qendror.

Rreth 150 banorë të këtyre fshatrave kanë nënshkruar një peticion drejtuar kryetarit të komunës, Ardian Gjinit, ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe ambasadave të QUINT-it në Kosovë.

Në peticion thuhet se janë tri kërkesa drejtuar institucioneve të vendit.

“Përfundimi i komasacionit – filluar para 35 vjetëve, ende asnjë banor nuk mund të rregulloj dokumentacion të tokës; Përfundimi i rrugëve lokale – filluar para shumë viteve, ende pa përfunduar, edhe pse jemi pjesëmarrës në financim, mbi 200 mijë euro të paguara nga komuniteti; Ndalimi i qarkullimit të kamionëve me zhavorr, në rrugën Vraniq – Doblibarë, është duke u shkatërruar rruga e pa përfunduar”, janë këto tri kërkesat e banorëve.

Ndër të tjera, në këtë peticion të banorëve thuhet se edhe pse vazhdimisht kanë ‘trokitur’ në dyert e institucioneve, deri më tash nuk ka pasur sukses.

Ata akuzojnë partitë politike për premtime boshe gjatë fushatave zgjedhore.

“Pothuajse të gjitha të arriturat në infrastrukturë, ujësjellës e kanalizime i kemi kryer me vetfinancim. Përkundër premtimeve boshe gjatë fushatave nga partitë politike, kur kanë ardhur në pushtet nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e vështirësive të banorëve”, thuhet në peticion.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës, për të kuptuar se a ka të planifikuar ndonjë projekt për këto tri fshatra, por deri në publikimin e këtij lajmi, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.