Ilustrimi: KALLXO.com/Diar Vuçetaj
Bankat fituan 140 milionë euro në vitin 2022
Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar rritje të të hyrave në vitin 2022 në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2022 bankat fituan 140.3 milionë euro apo mbi 20 milionë euro më shumë se në vitin 2021.
Sipas të dhënave së Bankës Qendrore të Kosovës [BQK], bankat në Kosovë regjistruan të hyra rreth 370.4 milionë euro, prej tyre 263.3 milionë euro ishin të hyra nga interesi, ndërsa si shpenzime bankat komerciale regjistruan 230 milionë euro, prej të cilave 135.2 milionë euro shpenzime të përgjithshme dhe administrative dhe 26.6 milionë euro shpenzime të interesit.
Si rezultat i kësaj, bankat komerciale vjet, realizuan të hyra neto apo fitim në vlerë 140.3 milionë euro apo mbi 20 milionë euro më shumë të hyra se në vitin 2021.
Për krahasim, në vitin 2021 fitimi i bankave komerciale ishte 117.5 milionë euro.
Norma mesatare e kredive në vitin 2022 ishte 6.3 për qind ndërsa norma mesatare për depozita ishte 2.4 për qind, që paraqet një raport 3.9 për qind kredi-depozita.
Ndryshe, në Kosovë operojnë gjithsej 12 banka komerciale, me gjithsej 200 njësi në territorin e vendit dhe numërojnë 3,781 të punësuar.
Sa i përket pronësisë, 9 nga 12 banka sa janë në Kosovë i përkasin pronësisë së huaj.