Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde - Foto: REL/Reuters
Banka Qendrore Europiane ul normat e interesit
Banka Qendrore Europiane i ka ulur përsëri normat e interesit të enjten (12.09.2024) pasi inflacioni po ngadalësohet dhe rritja ekonomike po zbehet, por nuk ka ofruar incentiva kyçe për hapin e ardhshëm, në kohën kur investitorët kanë vënë bast për lehtësim politikash në muajt në vijim, raporton Reuters.
BQE-ja ka ulur normën e saj të depozitave për 25 pikë në 3.5 për qind.
Me shkurtimet e pritura gjerësisht, vëmendja e investitorëve tashmë ka ndryshuar drejt asaj se çfarë do të pasojë dhe sesi vendimet e BQE-së do të formësohen prej uljes së pritshme të normave të Rezervës Federale amerikane që pritet të fuqizohen prej javës së ardhshme.
Por BQE-ja, bankë qendrore për 20 vende që përdorin euron, nuk ka lejuar t’i dalë asgjë nga dora.
“Ne nuk po angazhohemi paraprakisht për një shteg të caktuar normash”, ka thënë presidentja e BQE-së, Christine Lagarde në një konferencë për shtyp, duke përdorur formulën standarde të bankës për atë që ajo e quan politikë “e varur nga të dhënat”
“Ne po shikojmë një grup të tërë treguesish”, tha ajo, duke vënë në dukje se shtatori ka të ngjarë të japë një pasqyrim të ulët të inflacionit, thjesht për shkak të efekteve të bazës statistikore.
Lagarde ka thënë se inflacioni është frenuar paksa në eurozonë pas rritjes së pagave, megjithëse janë moderuar presionet e përgjithshme të kostos së punës dhe inflacioni është absorbuar nga kompanitë.
Përgatiti: Rexhep Maloku- Kallxo.com