Banka Qendrore e Kosovës me bord jo-funksional që nga viti 2020

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është pa bord funksional që nga viti 2020. Kështu bëri të ditur guvernatori Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Trasnfere.

“Që nga muaji maj i vitit 2020, kemi mbetur pa numrin e nevojshëm për funksionim të bordit të BQK-së. Aktualisht në bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për të cilat kemi dërguar në Kuvend emrat e kandidatëve potencial për përzgjedhje”, ka thënë Mehmeti.

Guvernatori i BQK, tha se gjatë vitit 2020 u sollën krizat më të mëdha ekonomike, ndërsa vlerësoi se BQK është treguar aktive duke reaguar shpejtë për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare.

“Që në ditët e para të masave kufizuese, BQK është koordinuar me të gjitha institucionet financiare për të siguruar marrjen e masave adekuate karshi nevojave të ekonomisë”, tha ai.

Për vitin 2021, BQK konsideron se aktiviteti ekonomik do rikuperohet me një ritëm të shpejtë të rritjes prej 9.9 për qind. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, sipas BQK-së është shënuar rritje e aktivitetit ekonomik prej 10,5 për qind.