Banka Botërore përfundon negociatat me Qeverinë për pakon urgjente prej 50 milionë dollarë

Banka Botërore ka njoftuar në faqen në Facebook se ka përfunduar negociatat me Qeverinë e Kosovës për një projekt urgjent për COVID-19 për Kosovën në shumën prej 50 milion dollarësh amerikanë (mbi 46 milionë euro).

Në njoftimin e tyre thuhet që gjatë muajit të fundit, Banka Botërore ka punuar intensivisht me Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të rënë dakord për objektivat dhe përbërësit e projektit të urgjencës, i cili do të ndihmojë Kosovën të parandalojë, zbulojë dhe t’i përgjigjet kërcënimit të paraqitur nga COVID -19 dhe të forcojë sistemin e shëndetit publik.

Sipas Bankës Botërore, projekti përfshin prokurimin urgjent të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore për sektorin e shëndetit, forcimi i testimit të COVID-19 dhe aftësia e zbulimit të hershëm, përmirësimet dhe zgjerimi i kapacitetit të Klinikës Infektive dhe mobilizimi i personelit shëndetësor shtesë. Ajo gjithashtu përfshin mbështetje të përkohshme për përfituesit e Skemës së Ndihmës Sociale dhe familjet që kualifikohen për mbështetje në bazë të Planit Fiskal të Urgjencës.

Sipas asaj që ka njoftuar Banka Botërore, për të filluar zbatimin e projektit, Parlamenti i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3.

“Ne mbështetemi në mbështetjen e fortë të të gjithë anëtarëve të parlamentit për ta bërë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky projekt është pjesë e një programi të përgjithshëm të aktiviteteve të Bankës Botërore, që ka të ngjarë të tejkalojë 120 milion €, për të mbështetur Kosovën të menaxhojë dhe zbusë ndikimin e COVID-19”, thuhet në njoftimin e BB.