Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Banka Botërore: Kosova po përjeton një rimëkëmbje shumë më të fortë se sa pritshmëritë

Një Raport i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor nga Banka Botërore, thotë se Kosova po përjeton një rimëkëmbje shumë më të fortë se sa pritshmëritë.

Sipas këtij Raporti të publikuar nga Banka Botërore, ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me hapa të shpejtë nga pandemia COVID-19 dhe deri në fund vitit 2021 pritet që prodhimi i brendshëm bruto të tejkalojë nivelin e vitit 2019.

Raporti thotë se aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1%, si rezultat i një rikuperimi më të fortë se sa pritet në numrin e vizitorëve nga diaspora, rikthimit të besimit të konsumatorit dhe rritjes së kredive konsumatore.

“Të ardhurat publike po përjetojnë një rikuperim të paprecedentë për shkak të zgjerimit të aktivitetit ekonomik, por edhe për shkak të inflacionit më të lartë dhe masave të rritjes së pajtueshmërisë tatimore. Si rezultat, dhe në kushtet e ekzekutimit të ngadaltë të investimeve publike, deficiti fiskal pritet të ulet në 2021”, thuhet në këtë Raport.

Tutje, Raporti thotë se menaxhimi i valës së katërt të pandemisë, përfshirë përshpejtimin e procesit të vaksinimit, mbetet një prioritet për të ardhmen e afërt.

Rritja ekonomike ka marrë hov qysh në fillim të tremujorit të parë (TM1), duke arritur në 5.6%. Raporti ka treguar se shitjet e bizneseve dhe flukset tregtare deri në korrik 2021 kanë tejkaluar nivelet e vitit 2019, sipas Raportit, duke sugjeruar një përshpejtim të mëtejshëm të rritjes ekonomike edhe për pjesën tjetër të mbetur të këtij viti.

“Eksportet dhe konsumi privat pritet të japin kontributin më të lartë në rritjen ekonomike. Investimet private gjithashtu pritet të ndikojnë pozitivisht në normën e rritjes nga ana e prodhimit, shërbimet vijojnë të jenë nxitësi kryesor i rritjes, ndërsa kontributi i bujqësisë mbetet i ulët”.

Raporti po ashtu ka vë në pah ndikimin e diasporës në ekonomikë e Kosovës. Raporti ka thënë se ndikimin më të madh në përshpejtimin e rimëkëmbjes e ka dhënë rritja e vizitave nga diaspora, e cila ka nxitur eksportet e shërbimeve të Kosovës dhe remintencat formale. Sipas Raportit, në qershor 2021, eksportet e shërbimeve tejkaluan nievelet e vitit 2019 dhe deri në fund të viti vlerësohen t’i tejkalojnë nivelet me 9.5%.

Raportin e plotë të Bankës Botërore në gjuhën shqipe mund ta gjeni KËTU.