Banjot e QKMF-së në Lipjan pa sapun, kryetari i komunës thotë se do të marrë masa

Telashet me shëndetësinë në komunën e Lipjanit janë raportuar dhe janë diskutuar në emisionin “Jeta në Komunë”, ku përballë Jeta Xharrës ka qenë kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti.

Gjatë debatit janë transmetuar pamje të QKMF-së në Lipjan të cilat janë realizuar më 12 tetor 2020, ku një toalet i kësaj qendre është i vjetëruar, i papastër dhe pa sapun.

Për këtë çështje, kryetari Imri Ahmeti deklaroi se do ta verifikojë personalisht gjendjen dhe do të marr masa.

“Nëse ka defekte të tilla unë personalisht do të shkoj dhe menjëherë nëse nuk shkoj sot, nesër do të shkoj me verifiku këtë çështje. Të siguroj që nesër do të jem dhe do t’i postoj për me pa që jam pernime atje dhe do të marr masa nëse vërtetë është kështu”, tha Ahmeti.

Toaleti i QKMF-së në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Ai shtoi se e kanë furnizuar me detergjente QKMF-në.

Në debat është transmetuar edhe një video nga oborri i QKMF-së që tregon se tuneli dezinfektues është i zbrazët.

“Po, është e kontraktuar vetëm për tre muaj. Askush nuk ka mujt me parashiku që do të zgjasë pandemia. Ne mund ta aktivizojmë kontratën”, tha kryetari i komunës për këtë çështje.

Në emisionin “Jeta në Komunë” janë shfaqur pamje edhe nga toaleti i QMF-së në fshatin Gadime në të cilin ka pasur sapun, por që ka qenë ambient i papastër.

Toaleti në QMF në Gadime, Foto: KALLXO.com

Për këtë temë, kryeari Ahmeti tha se duhet përgjegjesi nga shërbyesit të cilët duhet të jenë në nivel të detyrës.

Mes tjerash, Komuna e Lipjanit nuk po arrinë që të rekrutojë një mjek pediatër dhe një gjinekolog.

“Telashet i kemi me pediatër. Momentalisht ka një konkurs që është i publikuar, i hapur është dhe unë ftoj që të aplikojnë njerëzit. Nuk e di pse nuk kemi”, tha kryetari Ahmeti.