KRU Hidrodrini, Foto: Facebook

Banja e Istogut me probleme të ujit - ‘Hidrodrini’ deri me sot pa zgjidhje

Banorët e Banjës së Istogut përmes një peticioni i janë drejtuar ‘Hidrodrinit’ në Pejë për problemet me mungesën e ujit në atë zonë.

KALLXO.com ka siguruar peticionin dhe ankesën e banorëve drejtuar Hidrodrinit – Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimit.

Përmes kësaj ankese dhe peticioni ata kanë ngritur shqetësimet e tyre si dhe kërkesën për reagim lidhur me keqmenaxhimin e kompanisë Hidrodrini në Komunën e Istogut, posaçërisht në Banjë.

“Si vend turistik që mirëpret mijëra pacientë nga e gjithë Kosova, ndihemi të neglizhuar që të mos themi edhe të poshtëruar nga keqmenaxhimi i ujësjellësit në vendin tonë”, thuhet në ankesë.

Sipas banorëve problemet me ujin ekzistojnë 20 vite nga pas lufta, e që ka ndikuar edhe në turizmin e këtij vendi.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e kompanisë “Hidrodrini” në Pejë, Agron Tigani.

Tigani fillimisht tregoi se reduktimet me ujë gjatë verës në Banjë të Istogut janë masë e domosdoshme, pasur parasysh se Banja si zonë shtrihet në një nivel më të lartë.

Ai tha se Hidrodrini ka hartuar një projekt i cili është në përfundim e që kap vlerën prej 150 mijë eurove të investuara për këtë zonë.

“Ne si Hidrodrini e kemi hartuar një projekt i cili është në përfundim, kemi bërë kërkesë në KEK, lëshohen pompat e reja në vlerë diku 150 mijë euro, ne që i kemi investuar”, tha ai.

Drejtori tregoi se kërkesa është bërë, e që kompania “KEK” mund të zgjasë pak procedurën, por që sipas tij brenda javës mund të aktivizohen pompat e ujit në Banjë të Pejës për të zgjidhur përgjithmonë problemin me ujë.

Ndërsa, drejtori mohoi që problemet me ujë kanë afektuar turizmin në këtë vend.

“Nuk është e vërtetë që nuk kanë ujë tërë kohën, e që kjo ndikon në turizëm sepse ajo pjesë ku zhvillohet turizmi ka ujë, por,  pjesa tjetër më saktësisht disa zona të larta që i kanë ndërtuar shtëpitë, ndoshta edhe pa leje atje lartë”, tha Tigani.

Peticioni i drejtuar kompanisë “Hidrodrini” është nënshkruar nga mbi 100 banorë.