Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Balotazhi në Vushtrri i lë partitë politike në udhëkryq

Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit në qytetin e Vushtrrisë çuan në balotazh Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më vetëm 1% dallim në rezultatin për kryetar të komunës, Ferit Idrizi nga PDK doli i pari me 34.89%, ndërsa kryetari aktual, Xhafer Tahiri nga LDK u rëndit i dyti me 33.77%.

Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryetar, Arsim Rexhepi është renditur e treta me 26% të votave.

Një balotazh të njëjtë, dy partitë më të mëdha në Vushtrri kishin pasur edhe në zgjedhjet lokale të 2017, por që LVV-ja kishte hyrë në koalicion me LDK-në dhe rezultati ishte përmbysur.

Por kjo parti në zgjedhjet lokale të 2021 ende nuk ka vendosur se nëse do të përkrahë ndonjë nga partitë apo do të qëndrojë neutrale.

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një mbledhje gjatë kësaj jave, por që nuk është marrë ndonjë vendim.

Gresa Muli, nënkryetare e degës në Vushtrri ka thënë për KALLXO.com se një vendim i tillë do të merret nga kryesia qendrore.

“Nuk kemi marrë ndonjë vendim meqenëse është kompetencë e kryesisë qendrore”, tha ajo për KALLXO.com.

Muli përmes një postimi kishte shprehur qëndrimin se LVV në këtë mandat duhet të qëndroj opozitë.

“Mendimi im personal është që të qëndrojmë opozitë e të bëhemi gardian të Komunës e aseteve komunale nga pozitat që kemi në Kuvend Komunal e si qendër, mirëpo përkundër mendimit tim personal në një organizatë vendos shumica”, ka shkruar ajo.

Xhafer Tahiri, kryetari aktual i Vushtrrisë i cili po synon edhe një mandat të dytë tha se ka nisur bisedimet për koalicione.

Ai theksoi se nuk kanë vija të kuqe për ndonjë parti.

“Jemi duke biseduar më të gjitha partitë që kemi pasur koalicion. Ne mendojnë që ka vend për të gjithë. Ne nuk kemi pasur vija të kuqe as në 2017, jemi të interesuar që të ndërtojmë një bashkëqeverisje me të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, tha ai për KALLXO.com

Tahiri tha se presin fitore pas balotazhit më PDK-në duke shtuar se LDK ka pasur rritje të votueseve më 17 tetor.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur rritjen më të madhe që nga 2004 dhe jemi të kënaqur që LDK është me e fortë se 2017 dhe duke u nisur nga kjo premisë presim fitore”, tha ai.

Për Ferit Idrizin, kandidat i PDK-së për Vushtrri rezultati i 17 tetorit, ishte befasi. Idrizi për KALLXO.com tha se kanë pritur një rezultat më të thellë.

“Sinqerisht pritjet e mia kanë qenë më të mëdha por mendoj që kanë ndiku mediat që e kanë qitur vazhdimisht Xhafer Tahirin si fitues pa balotazh dhe deri në një masë kanë mundur edhe të ndikojnë”, tha ai.

Idrizi tha se rezultati në balotazh do të jetë në favor të tij, duke shtuar se është i hapur për koalicione.

“Unë jam i hapur për koalicione, iu kam bërë ofertë të gjitha partive politike dhe po pres përgjigjen e tyre”, tha ai për KALLXO.com