Balotazhi në Kosovë, Policia inicion pesë raste nga incidentet

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë realizimit të planit operativ për zgjedhjet lokale-balotazhi 2021, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka iniciuar 5 raste dhe ka trajtuar 54 raportime në nivel vendi.

PK-ja thekson se bazuar në informacionet e siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të  Policisë së Kosovës, deri në mbylljen e qendrave të votimit janë trajtuar rastet sipas rajoneve; në Prishtinë 14 raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Mitrovicën e Jugut 3 raportime dhe 1 rast i iniciuar, në Pejë 4 raportime dhe 2 raste të iniciuara, në Gjakovë 11 raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Prizren 13 raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Ferizaj 5 raportime dhe asnjë rast i iniciuar si dhe në Gjilan 4 raportime dhe 2 raste të iniciuara.

Policia tutje njofton se rastet e iniciuara me vendim të prokurorëve kompetent janë pesë raste prej tyre, 1 rast në Junik – Pejë ” Pengim i procesit të votimit” ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, 1 rast po ashtu në Junik – Pejë ” Prishje e rendit dhe qetësisë publike” ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu sipas Policisë, 1 rast në Vushtrri për “Falsifikim i dokumentit”, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt, një rast në Viti-Gjilan “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, si dhe një rast Kamenicë-Gjilan “Dhënie dhe marrje e ryshfetit lidhur me votimin”, ku dy persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit”, thuhet në komunikatë.

Sot në Kosovë është mbajtur rundi i dytë zgjedhjeve në 21 komuna.