Foto: telegrafi.com

Ballkani mposht ekipin turk në një ndeshje dramatike

Ballkani ka marrë fitoren e parë në grupet e Ligës së Konferencës, pasi ka mposhtur Sivassporin në udhëtim me rezultat 3-4.

Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi, kur vetëm pas 32 sekondave lojë Sivasspori gjeti golin e parë.

Ishte mesfushori norvegjez Fredrik Ulvestad që kaloi vendasit në epërsi pas asistimit nga Saba.

Gëzimi i vendasve nuk zgjati shumë, pasi Armend Thaqi realizoi një gol spektakolar në minutën e 20-të për të barazuar rezultatin.

E 11 minuta më vonë erdhi edhe goli i epërsisë për suharekasit.

Ermal Krasniqi depërtoi bukur në zonë dhe dhuroi një asistim fantastik për Arbër Portokun që nga afërsia shënoi për 1-2, duke i dhënë epërsinë e parë portokallinjve në këtë sfidë.

Me epërsinë e Ballkanit 1-2 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Ballkani luajti shumë mirë edhe në pjesën e dytë duke krijuar disa raste të mira shënimi.

Por për të gjetur golin e tretë u desh të pritej minuta e 66-të kur Armend Thaqi bashkëveproi mirë me Meriton Korenicën me këtë të fundit që realizoi një gol të bukur për 1-3.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe shënuan edhe golin e dytë në minutën e 75-të me anë të Yesilyurt që u asistua nga Saba për 2-3.

Mesfushori i talentuar, Qëndrim Zyba pati një rast të artë në minutën e 81-të, por goditja e tij shkoi mbi portë.

Rast të artë për vendasit pati Robin Yalcin, por goditjen e tij të bukur e priti edhe më mirë Stivi Frashëri.

Ishte minuta e 91-të kur sulmuesi qendror Yatabare u gjend bukur në zonë dhe realizoi për të barazuar shifrat në 3-3.

Por vetëm tre minuta zgjati gëzimi i vendasve, kur Ermal Krasniqi arriti të shënoj gol për t’i dhënë Ballkanit përsëri epërsinë dhe fitoren.

Deri në fund suharekasit u mbrojtën mirë dhe ruajtën epërsinë duke marrë fitoren e parë në grupet e Ligës së Konferencës.

Pas tri ndeshjeve Ballkani ka katër pikë sa ka edhe Sivasspor e Slavia Pragë, me çekët që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Dy skuadrat do të përballen edhe xhiron e ardhshme, por kësaj radhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë pas një jave. /Telegrafi/