"Ballkani i Hapur" synon krijimin e tregut të përbashkët të punës

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha më 20 dhjetor se gjatë takimit të iniciativës “Ballkani i Hapur”, që mbahet më 21 dhjetor në Tiranë, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të pajtohen për formimin e tregut të përbashkët të punës.

Në takimin në Tiranë pritet që të nënshkruan edhe gjashtë marrëveshje në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Çadezh tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), që pret që të formohet “tregu i përbashkët i punës, kufijtë të jenë të hapur 24 orë për kalim, të bashkërendohen certifikatat, veçmas ato fitosanitare me qëllim që të shmangen telashet, që kushtonin shumë para”.

Në takimin ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pritet të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim rajonal, rezultati i të cilave pritet të jetë krijimi i tregut të përbashkët të punës.

Në takimin e “Ballkanit të Hapur” është paralajmëruar se do të marrë pjesë në mënyrë virutale edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” u krijua më 2019 nga Rama, Vuçiq dhe Zaev. Deri në korrikun e vitit 2021, kjo iniciativë është njohur me emërtimin “Mini-Shengen”.

“Ballkani i Hapur” parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe shërbimeve mes njerëzve të këtyre tri shteteve.

Çadezh, i cili udhëtoi në Tiranë së bashku me Vuçiqin, tha se “Ballkani i Hapur” nuk është grumbullim i marrëveshjeve dhe nënshkrimeve, por sipas tij, është një ide për paqe dhe prosperitet të pjesës së Evropës që gjithmonë shihej si problematike, sidomos tani në shtatën e krizës ekonomike, krizës së energjisë dhe krizës së transportit e fuqisë punëtore.

Sipas Çadezhit, takimi në Tiranë është “samit historik” dhe “ditë e madhe për Serbinë” dhe rajonin.

“Kemi punuar gjatë për këtë. I kemi tejkaluar pengesat dhe gradualisht kemi krijuar besim mes vete”, theksoi Çadezh.

Ai tha se dhe në të kaluarën ka pasur nënshkrime të memorandumeve për bashkëpunim, por tani janë gati marrëveshjet, që sipas tij, mundësojnë që duke filluar nga viti i ardhshëm të jetësohet tregu i përbashkët i punës.

“Njerëzit punuan shumë që të arrihet zgjidhja. Takimi i 21 dhjetorit mes liderëve është dëshirë e sinqertë që të krijohet tregu i përbashkët në kuadër të tri ekonomive dhe ftesë për fqinjët që të përfshihen në të. Ekonomitë të cilat nuk janë aktualisht pjesë e iniciativës, janë megjithatë pjesë psikike e saj”, tha Çadezh.

Çadezh tha se “Ballkani i Hapur” paraqet moment të afrimit të rajonit të Ballkanit Perëdnimor me Bashkimin Evropian.

“Kur e shohim se si zhvillohej Bashkimi Evropian dhe cila ishte shpresa e Evropës së atëhershme të mbushur me urrejtje dhe luftëra, shohim se ishte ekonomia. Pjesa më e rëndësishme është besimi nëpërmes punës së përbashkët të liderëve dhe biznesmenëve, gjë e cila kalon pastaj në politikë”, tha Çadezh.

Iniciatorët e “Ballkanit të Hapur” deri më tani nuk ia kanë dalë që të bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Më 15 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” nuk u ndërtua mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe shtoi se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë trajtim të barabartë në këtë iniciativë.

“Derisa Serbia të mos e trajtojë Kosovën në mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, shohim se Serbia dëshiron të zgjerojë interesat e saj hegjemoniste”, tha Osmani krahas paralajmërimit që Kosova ka rezerva ndaj kësaj iniciative sepse e njëjta mund të zvarrisë integrimin evropian.

Edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka shprehur rezerva ndaj “Ballkanit të Hapur” krahas shpjegimit që kjo iniciativë nuk mund të jetë e suksesshme nëse në të nuk përfshihen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor/REL/.