Ballkani drejt pasigurisë pa Merkelin?
15.9.2021 - 15:27
Vizita e lamtumirës e kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor është pasqyruar gjerësisht në shtypin gjerman.
Gazeta Neue Zürcher Zeitung në artikullin e saj “Pak vëmendje për Ballkanin”, shkruan se Ballkani Perëndimor, siç quhen të gjashtë vendet aspirante për anëtarësim në BE nuk ka qenë asnjëherë prioritet i politikës së jashtme të kancelares.
“Por as e painteresuar Merkel nuk ka qenë. Madje edhe në pikun e krizës greke të borxheve në vitin 2015, Merkel gjeti kohë të shkojë në Beograd, Sarajevë, dhe Tiranë.”
Zyrtarisht Berlini e mbështet qëllimin e largët të zgjerimit të BE, shkruan NZZ, por jetësimi i tij për një kohë të pacaktuar do të mbetet një iluzion. Për Merkelin ka qenë i rëndësishëm stabiliteti, pas luftërave të përgjakshme në rajon, dhe kjo është arritur në masë të madhe.
“Por çështjet e mëdha mbetën të pazgjidhura. Bisedimet e drejtuara nga BE mes Kosovës dhe Serbisë lëvizin ngadalë pa asnjë rezultat. Diku tjetër vihet re regres. Në Bosnje së fundmi dhe në Malin e Zi dallimet etnike përdoren për lojëra të mëdha politike.”
NZZ vëren se Merkel u fokusua tek kontaktet private.
“Për shkak të kontradiktës shqiptaro-serbe u respektuan Rama dhe Vuçiqi, pavarësisht tendencave autoritare të të dy politikanëve.” Artikulli i kushton vëmendje edhe kritikave që ka pasur ndaj kancelares në Ballkan, sidomos nga opozita serbe.
“Politika e Merkelit në Ballkan qëndron për një koncept që në rajon me përçmim përcaktohet si ‘stabilokraci.”
Kurse gazeta gjermane tageszeitung nën titullin “Një lamtumirë melankolike drejt së panjohurës” pyet, nëse perspektiva e Ballkanit Perëndimor pas largimit të Merkelit do të hiqet nga vëmendja.
Me ndjenja të përziera e shohin qytetarët në vendet e Ballkanit fundin e epokës së Merkelit, sepse ajo u pa në këto vite si një spirancë e shpresës dhe stabilitetit.
“Se çfarë do të vijë pas saj është e paqartë, prandaj kjo e rrit pasigurinë. taz shkruan, se atmosfera në popullsinë e këtyre vendeve është e përcaktuar nga simpatia dhe respekti për Merkelin, megjithë kritikat.
“Imazhi i saj pozitiv lidhet edhe me atë që Merkel nuk hoqi dorë asnjëherë nga perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, edhe pse nuk ia doli që në këtë pikë të arrinte suksese.” taz shkruan se “në kujtesë do të mbetet se Merkel me Jo-në e saj të politikës së presidentit Trump që propozoi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2019 e përcaktoi qartë paprekshmërinë e kufijve në Ballkan. Ky pozicion tanimë është pranuar në BE.” DW.com