Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Ballafaqimi ndër vite i Dardan Molliqajt me ligjin

Kryetari i porsazgjedhur i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, nuk i ka pasur të pakta rastet e ballafaqimit me organet e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës është përfshirë në sulme e polemika, të cilat i kanë kushtuar me padi dhe nisje të hetimeve ndaj tij, nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Molliqaj njihet si njëri prej zyrtarëve më aktiv në organizimin e protestave të Lëvizjes Vetëvendosje në të kaluarën, sa ishte pjesë e këtij subjekti politik, por edhe pas kalimit në PSD, është ballafaquar sërish me arrestime dhe jo vetëm.

Më 11 shtator të këtij viti, pas një debati televiziv Molliqaj ishte përfshirë në një rrahje me me ish-pjesëtarin e shoqërisë civile, tashmë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Ndërkaq, në nëntor Prokuroria e Prishtinës njoftoi se ka filluar hetimet ndaj zyrtarit të PSD-së, Dardan Molliqajt, i dyshuar për sulm.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për rastin në fjalë ju njoftojmë se, prokurori i rastit, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndaj të dyshuarit D.M., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të KPRK-së”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

Zyrtari i Vetëvendosjes, Haki Abazi, kishte deklaruar se është sulmuar me grushte nga zyrtari i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe shoqëruesi i tij.

Në një prononcim për KALLXO.com. Haki Abazi kishte thënë se ka qenë në korridor në dalje të studios pas debatit në T7, bashkë me Rexhep Hotin dhe Dardan Molliqaj ka shkuar me zë kërcënues, ia ka kapur duart përcjellësi i tij dhe filloi një përleshje fizike.

“Unë kam qenë në dalje, kam qenë duke ecë me Rexhep Hotin dhe ata më kanë sulmuar”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, Molliqaj e kishte mohuar sulmin ndaj Abazit.

“Shumë mirë që dolën videot. Tash ndalen të gjitha spekulimet. Një subjekt që u paraqit si viktimë dhe ndërtoi konspiracione bashkë me një televizion, po dalin hapur si mashtruesit e radhës. Shpifin në emisione; sulmojnë vetë pas emisioneve; ikin me vrap pastaj dhe në fund tentojnë të paraqiten si viktima. Mua më vjen keq për situatën e krijuar por asnjëherë nuk do të ndalem duke ia thënë të vërtetën secilit. Unë nuk fshihem. As nuk mashtroj. As nuk viktimizohem. Luftoj për atë që besoj”, kishte deklaruar Molliqaj.

Gjatë 2019-s ndaj Molliqajt u ngrit edhe një padi nga deputeti i VV-së, Glauk Konjufca.

Në shkurt të këtij viti, Konjufca e paditi për shpifje e fyerje ish-bashkëpartiakun e tij, Dardan Molliqajn.

Gjithçka kishte nisur kur në Kuvendin e Kosovës në debatin për Projektligjin për Dialogun, Molliqaj e ka akuzuar ish-shefin e grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, se ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

“Meqë Glauku flet për sinqeritet e ftoj atë me marrë guximin e me kallxu qysh 1 vjet ditë ka qenë në SHIK. Unë e kam marrë vesh prej Glauk Konjufcës. Kur ka qenë Glauku në SHIK nuk ka qenë në VV. Problem është se nuk ka pas guxim me thënë që ka punu në SHIK”, kishte deklaruar Molliqaj në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, Konjufca tha se i pranon akuzat nëse janë të bazuara në fakte.

“I pranoj pretendimet e Dardanit, veç me një kusht, nëse ka ndonjë fakt apo ndonjë argument për këtë shpifje, unë i pranoj”, kishte thënë ai.

Ndërkaq me 7 shkurt të këtij viti, në Gjykatën e Prishtinës, Konjufca e dorëzoi padinë për shpifje ndaj Molliqajt.

Një mëngjes pranvere, dita kishte nisur me arrestim për Dardan Molliqajn.

Me 13 maj 2019, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në banesën e tij në Prishtinë.

PSD-ja kishte njoftuar se Molliqaj ishte arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015.

“Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhej në njoftimin e kësaj partie.

Ish-deputeti ishte liruar në po të njëjtën ditë, pas procedurave të rregullta ligjore.

Në anën tjetër, Gjykata në Prishtinë kishte dalë me një komunikatë për urdhër arrestin ndaj ish- deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas njoftimit, urdhër arresti për Dardan Molliqajn ishte për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka lëshuar urdhër arrest kundër të pandehurit D.M për shkak të veprës penale Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, deputeti Molliqaj gjatë fazës së hetimeve nuk u ishte përgjigjur ftesave për intervistim.

“Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës të datës 10.04.2019 për lëshimin e urdhër arrestit, pasi ka gjetur se i dyshuari gjatë fazës së hetimeve i është shmangur ftesave për intervistë. Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 175 i KPPK-së për lëshimin e urdhër arrestit”, thuhet në fund të njoftimit.

Por, ndryshe ka thënë ish- deputeti Molliqaj në një deklarim me video në “Facebook”.

“Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës erdhi dhe më arrestoi në banesën time në Prishtinë në të cilën jetoj me qera. Pa paralajmërim dhe pa ftesë paraprake nga asnjë institucion i shtetit. Aty e kuptova që me 12.05, pra dje ditë e dilë, Gjykata kishte marr një vendim për arrest timin që ka të bëj me një protestë të vitit 2015”, shtoi ai.

Atëkohë Molliqaj u bë i famshëm për shkak se kapi për bluze zyrtarin e policisë.

Dardan Molliqaj këtë të diel u zgjodh kryetar i PSD-së me më shumë se 80 për qind të votave.

Zgjedhja e tij në krye të partisë erdhi pasi Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga kjo pozitë.