Ballafaqimi i avokatëve për tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina

Qendrim Arifaj, avokat i kompanisë “Pharma Leader”, dhe Fisnik Salihu, avokat i “Meditech”, janë ballafaquar në debatin për tenderin për insulina të Ministrisë së Shëndetësisë.

Debati po zhvillohet për atë se a është lejuar në tender që të aplikohet me insulina të cilat nuk kanë autorizim marketingu.

Autorizim marketingu është një leje e dhënë nga Agjencia për Produkte dhe Pajisje Mediciale për aprovimin e barit për treg, leje e cila bazohet në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet gjatë përdorimit.

Avokati Arifaj tha se kompania kundërshtare ka pasur më herët kontrata me institucionet publike, e që nuk ka qenë e pajisur me autorizim marketingu.

“Kjo që e tha kolegu nuk është korrekte dhe nuk ke e saktë. Për shkak se vetë kompania që e përfaqëson ka me dhjetëra kontrata të lidhura me udhëzimin administrativ, që nuk ka autorizim marketingu. Deri tash kur është ndërru udhëzimi administrativ brenda natës, që tash janë pezulluar ato kontrata. Autorizim marketingu nuk garanton cilësi, autorizim marketingu është dokument që ta lejon produktin me plasu në treg, që është i barazvlefshëm me udhëzimin administrativ 02/2014”  – ka pretenduar avokati Arifaj.

Sipas tij, ky udhëzim është krijuar kohë më parë vetëm për produktet që qarkullojnë në Bashkimin Evropian.

“Kompanitë farmaceutike që kanë dashtë me e pru një produkt që qarkullon në BE, kanë pasë me apliku para AKPPM-së për licencë të importit. Që ne atë veprim e kemi kry, e posedojmë edhe licencën e importit. I plotësojmë të gjitha dokumentacionet sipas dosjes së tenderit” – ka thënë ai.

Ndërsa avokati i kompanisë “Meditech”, Fisnik Salihu, ka thënë se pretendimi i avokatit tjetër është i pasaktë.

Sipas tij, një kontratë ka qenë e nënshkruar nga kompania që përfaqëson dhe ajo më pas është pezulluar.

“Sa i përket dhjetëra kontratave të cilat i përmendi kolegu, nuk është e saktë. Është e vërtetë vetëm për një kontratë që ka qenë e nënshkruar mes operatorit ekonomik dhe SHSKUK-së por që është pezulluar, pas hyrjes në fuqi të udhëzimit administrativ të ri” – ka thënë Salihu.