Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Balje kërkon nga Nagavci të ndihmohet mësimi në gjuhën boshnjake

Deputetja nga Grupi Parlamentar Multietnik, Duda Balje ka kërkuar nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci që t’u ndihmojnë në zhvillimin e mësimit në gjuhën boshnjake.

“Nuk është e lehtë që tash të jeni në pozitën e ministres së Arsimit. Gjithashtu tërë problematika e mësimit në gjuhën boshnjake u mbetet juve dhe ua kemi dërguar një e-mail me prioritetet për problemet që ka zhvillimi i mësimit në gjuhën boshnjake”, tha ajo.

Balje ka kërkuar që në këtë proces të zgjedhën njerëz profesionistë për t’i zgjidhur problemet në arsim.

Sipas saj problem i madh është është dhuna tek të rinjtë.

“Jam e bindur që ka hapësirë që shumë gjëra të rregullohen. Fatmirësisht nuk kemi pas probleme në aspektin ndër-nacional”, theksoi deputetja.

Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Kurse ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci tha se është e vetëdijshme për mungesën e teksteve në gjuhën boshnjake.

“Ka probleme për mësimin në gjuhën e komuniteteve. Ne e kemi marrë me prioritet edhe këtë çështje. Kemi bërë një analizë të kostos për materialet. Mbetem e hapur për çdo rekomandim dhe sugjerim që keni”, tha ajo.