Bali Muharremaj për tenderin 1.7 milionë: Jemi transparent

Blerim Kuçi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në prag të zgjedhjeve,  ka fituar tender në vlerë prej 1. 7 milionë eurosh nga Komuna e Suharekës që udhëhiqet nga bashkë partiaku i tij, Bali Muharremaj.

Kompania “Hidroterm” që është pronë e Blerim Kuçit është rekomanduar për kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nuk ka ndikuar partia e tij në fitimin e tenderit nga nënkryetari i AAK-së.

Muharremaj për KALLXO.com ka thënë se konkursi për këtë tender ka qenë ndërkombëtar dhe publik.

Ndërsa për kompaninë e Kuçi ka thënë se kjo kompani operon jo vetëm në Kosovë , por edhe në Ballkan dhe ka përvojë dhjetë vjeçare.

“Mund t’ju garantoj që as partia dhe askush tjetër s’ka pasur kurrfarë ndikimi. Konkursi ka qenë ndërkombëtar, për idenë më të mire për sheshin dhe projektin më të mirë po ashtu. Procedurat janë zhvilluar sipas ligjit dhe për gjithçka jemi transparent”, ka deklaruar Muharremaj.

Po ashtu Muharremaj ka thënë se përveç detyrës si kryetar i Komunës së Suharekës është edhe kryetar i Degës së AAK-së në Suharekë.

Ndërsa për angazhimet partiake Muharremaj ka thënë se këtë gjë ai e bën jashtë orarit të punës dhe se si kryetar i komunës iu shërben të gjithëve pa dallim.

“Por, natyrisht se jashtë orarit kam edhe obligime e përgjegjësi ndaj subjektit politik të cilin e udhëheqi. Jo vetëm me z.Blerim Kuqi por edhe me kandidatët tjerë për deputet nga AAK takohem e bisedoj dhe këtë e bëj publikisht. Pa asnjë hezitim i kam takuar edhe kandidatët e subjekteve tjera politike, për të debatuar për idenë e propozimin më të mirë se si ta ndërtojmë të ardhmen. Mbi të gjitha ne duhet t’i shërbejmë qytetarëve dhe mirëqenies së tyre”, ka vazhduar ai.

Bali Muharremaj i AAK-së i jep tender 1.7 milion euro shefit të partisë, Blerim Kuçit