Bajrami: Qeveria mori role që nuk i takonin, u kthye në shtet policor

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami në diskutimin rreth rritjes së çmimeve ka thënë se Qeveria mori role që nuk i takonin dhe u kthye në  shtet policor.

Kjo sipas Bajramit po ndodhë për shkak se Qeveria e ka lënë për 10 muaj vendin, pa Autoritetin e Konkurrencës.

“Në mungesë të Autoritetit të Konkurrencës, Qeveria mori rol e që nuk i takonin, u kthye në shtet policor”, ka deklaruar Bajrami.

Bajrami ka thënë se arsyeja se përse e kanë ftuar një seancë të jashtë zakonshme është mungesa e reagimit nga ana e Qeverisë.

“Arsyeja se përse kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme është në fillim mungesa e çfarëdo reagimi nga ana e Qeverisë, e më vonë ndërhyrjet pa takt jo ligjore dhe jo kushtetuese në tregun e lirë të cilat nuk po prodhojnë asnjë efekt pozitiv në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Bajrami.

“Përkundër faktit se për krizën energjetike si opozitë ishim shumë vokal, ofruam bashkëpunim, ofruam edhe opsione u injoruam komplet nga Qeveria dhe pozita, sot pasojat po i vuajnë qytetarët”, ka shtuar ajo.

Bajrami gjithashtu tha se nuk po e akuzon Qeverinë për rritje të çmimeve, por që me ndërhyrjet e tyre që sipas saj po iu shkaktohen dëme qytetarëve.

“Ne e dimë që krizën me çmime nuk e keni shkaktuar ju dhe Qeveria, asnjëherë nuk iu kemi akuzuar për një gjë të tillë, por ju dhe kjo Qeveri duhet të menaxhoni me kriza të tilla. Ju nuk po menaxhoni. Me ndërhyrjet e juaja po shkaktoni dëme qytetarëve duke i maskimalizu pasojat e këtyre krizave “, ka deklaruar ajo.

Për rritjen e çmimeve, Bajrami gjithashtu tha se është bërë pandemi e dytë dhe nuk ka produkt që nuk i ka lëvizur çmimi.

“Sot ngritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt që nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejtë dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Tutje Bajrami shtoi se vendimet qeveritare për ndëryrje në ekonomi janë arbitrare dhe në kundërshtim me tregun e lirë.

“Vendimet qeveritare për ndërhyrje në ekonomi janë arbitrare, janë të pazbatueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimet e ekonomisë së tregut të lirë”, ka thënë Bajrami.

“I tillë ishte edhe vendimi për përgjysmimin e biletave të autobusëve për disa kategori pa parapa ndonjë masë subvencionimi për ta. A e di zëvendësministri i Infrastrukturës që autobusit i kushton litri i naftës jo 1 euro sikur i ka kushtuar kur ai ka qenë në opozitë, por i kushton 6 euro”, shtoi ndër të tjera ajo.

Ajo iu bëri thirrje deputetëve e Qeverisë se është koha që të dalin me pako fiskale ekonomike që të tejkalohet kriza.

“Është koha që taksat që i keni mbledhur qe sa kohë nga qytetarët dhe bizneset t’i ktheni në shërbim të tyre, vetëm përkohësisht sepse ato prap kthehen në buxhet. Është koha që të dilni me pako fiskale dhe pako ekonomike konkrete, të mos bëjmë as opozitë as popullizëm por të shohim se si tejkalohet kriza“, ka thënë Bajrami.

Lidhja Demokratike e Kosovës në emër të opozitës e ka thirrur këtë debat parlamentar.

Driton Selmanaj nga LDK-ja dje kishte thënë se në fund të debatit do të prezantojnë një rezolutë në mënyrë që të nxirren detyra të qarta për Qeverinë e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me rritjen çmimeve.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore. Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Me 10 mars në Kosovë çmimi i vajitshkoi në 3.49 euro.

KALLXO.com ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë janë mbyllur përkohësisht. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetrën 26 mijë të tjera.