Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, Foto: KALLXO.com
Bajrami: Qeveria larg realizimit të buxhetit 3-miliardësh
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se sa i përket realizimit të buxhetit prej 3 miliardë eurosh për vitin 2024, potencialisht Qeveria është larg.
Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se edhe dy vitet paraprake Qeveria ka planifikuar të realizojë buxhete mbi 3 miliardë euro por sipas saj nuk kanë arritur ta realizojnë këtë.
“Buxheti i vitit 2021 ka qenë 2.3 miliardë, i vitit 2022 ka qenë 2.5 miliardë. Mosshpenzimi i buxhetit nga Qeveria, i bie që as s’ka mundur as ta mbledhë, as ta shpenzojë, i bie që ka qenë planifikim jo i saktë. Domethënë ndodh gjithëherë por nuk mund të krenohemi me planifikim” – tha Bajrami
Ajo gjithashtu ka thënë se ky buxhet është vetëm 78 milionë më i lartë sesa planifikimi për vitin 2023.
“Kjo është një rritje prej 2%, ndërkohë që është instrumenti i fundit i realizimit të premtimeve të kësaj Qeverie. Por ne nuk jemi duke i parë realizimin e premtimeve, p.sh. lirimi i çmimit të energjisë elektrike, ka ndodh shtrenjtim dy herë, shporta e konsumit pa TVSH, nuk e kemi pa TVSH, banimi social nuk ka ndodhë, ka qenë i planifikuar edhe për vitin 2023” – ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka folur edhe për premtimet e LVV-së dhe tha se kjo Qeveri me këtë buxhet nuk do të mund t’i realizojë ato.
Për këtë ajo ka përmendur premtimin e Qeverisë Kurti për ndërtimin e 160 çerdheve.
“Në këtë mandat nuk ka shansa që të ndërtohen 160 çerdhe. Tani në planifikimin e buxhetit për 2024 kemi numër të madh të çerdheve dhe asnjëra prej tyre nuk përfundon në vitin 2024, çka është më e keqja janë 11 çerdhe që figurojnë në dokument por që kanë 0 buxhet për vitin e ardhshëm dhe i kanë të ndara nga 150 mijë euro për vitin 2025 dhe nga 100 mijë euro për vitin 2026, e nëse e sheh qysh janë ndërtu të tjerat, asnjë nuk është ndërtuar me 350 mijë euro buxhet. Domethënë në këtë buxhet ti ke plan për Qeverinë tjetër” – ka shtuar tutje Bajrami.
Projektligji për buxhetin për vitin 2024 u miratua në lexim të parë të enjten, pas më shumë së 10 orëve diskutim në Kuvendin e Kosovës.
Buxheti për vitin 2024 parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.