Bajrami: Qeveria e 51-përqindëshit i ka 80 për qind të pozitave të larta me ushtrues detyre

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa ka folur për gjendjen në sektorin e shëndetësisë ka thënë se në Qeverinë Kurti funksionojnë me ushtrues detyre 80 për qind e pozitave të larta.

Sipas Bajramit, me ushtrues detyre nuk shkohet përpara në asnjë sektor.

“Nuk ecet në asnjë sektor me ushtrues detyre dhe ne nuk e kuptojmë se si Qeveria e 51-përqindëshit, 80 për qind të pozitave të larta i ka me ushtrues detyre, dikasterin më të rëndësishëm e ka me ushtrues detyre” – ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se në Qeverinë Kurti II qytetarët asnjëherë nuk kanë pasur një ministër të vertetë të Shëndetësisë.

“Në Qeverinë Kurti II asnjëherë nuk kemi pasur me të vërtetë ministër. Ministri Vitia prej ditës të parë e ka ditë që është kandidat për Prishtinë dhe më shumë ka qenë në fushatë sesa ministër. Gjatë fushatës ishte me ushtrues detyre, pastaj deri sa u caktu ministri Latifi, ai dha dorëheqje, dhe prapë jemi me ushtrues detyre” – ka thënë tutje deputetja e LDK-së.

Bajrami i është drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se kjo parti ka fituar besimin e 51 për qind të qytetarëve andaj askush nuk i ndal të punojë.

“Nuk mjafton këtu me dalë dhe me na tregu se si e keni gjetë sektorin e shëndetësisë. Partitë politike e kanë paguar faturën politike për atë çfarë kanë bërë dhe jo. Kush po ju pengon juve me i shti hajnat në burg. A nuk ka qenë slogani juaj: ‘hajnat në burg, hajnat ne burg’?” – ka shtuar Bajrami.

Kuvendi është duke e shqyrtuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.