Bajrami pyet Kurtin e Muratin: A mund t`i garantoni qytetarët që nuk do të ketë edhe një ngritje tjetër të çmimit të rrymës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK që disa muaj ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me një krizë energjetike.

Ajo ka thënë se qytetarët sot po përballen me ngritje të çmimit dhe se një ngritje tjetër do ti gjunjëzonte.

Bajrami ka pyetur kryeministrin Kurti dhe ministrin e Financave Hekuran Murati nëse mund të ju garantojnë qytetarëve të Kosovës që nuk do të ketë ngritje tjetër në çmimin e rrymës.

Tutje ajo ka kërkuar informacione lidhur me subvencionimin prej 100 milionë euro për energji.

“Pyetja për ju dhe ministrin e Financave, ku është problemi i moszbatimit të subvencionit prej 100 milionë euro. A mund të ju garantoni qytetarët që nuk do të ketë edhe një ngritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike. Qytetarët sot po përballen me ngritje të çmimit mbi 14%, edhe një ngritje tjetër do ti gjunjëzonte”, ka thënë ajo.

Bajrami tutje ka thënë se moszbatimi i subvencionit prej 100 milionë euro do të preken edhe bizneset.

“Nëse nuk arrini me zbatua subvencionimin prej 100 milionë euro do të preken edhe bizneset për të cilët jeni krenua që keni marrë vendim me i subvencionua”, ka thënë ajo.