Bajrami: Programi qeverisës i Kurtit është popullist

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se programi i Qeverisë së Albin Kurtit për 4 vitet e ardhshme, është popullist.

Ajo gjatë seancës që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, tha se çdo masë në program është vetëm kalkulim që sjellin vota.

“Sa kushtojnë këto masa, kryeministër dhe zëvendëskryeministër? Qysh mendoni me u bo shtet social, duke hyrë në borxh. Në kornizën afatmesme, tek parashikimet fiskale buxheti për 2022 do të jetë vetëm 72 milionë më shumë se ky vit. Nuk keni bërë llogari për masat”, tha Bajrami.

Tutje, Bajrami tha se Qeveria ka parashikuar që brenda katër viteve të marr kredi mbi 1 miliardë euro.

“Të gjitha këto masa janë populliste dhe hartuesit nuk kanë mendu gjë tjetër, përveç sa vota mund të sjellë secila masë. Janë sociale dhe janë në kundërshtim me vendimet e para të qeverisë tuaj. Brenda katër viteve keni paraparë që të merrni kredi prej 1 miliardë e 690 milionë euro kredi, për çka kryeministër, për të mbajtur simpatinë e qytetarëve”, tha Bajrami në seancë.

Ajo përmendi shtetet e rajonit duke thënë se kanë filluar të hapen dhe të kthehen në normalitet, ndërsa tha se qytetarët e Kosovës do të marrin pjesë në organizime, ahengje dhe festivale që organizohen në vendet e rajonit.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.