Bajrami për punësimet në KEK: Kryeministri me videon ‘kushërinjtë janë për dasma’ i mashtroi qytetarët

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka folur për konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës ku u punësuan qindra persona.

Bajrami ka rikujtuar një video të kryeministrit, Albin Kurti, duke shtuar se sipas asaj video, ai i ka mashtruar qytetarët.

“Të gjithëve na kujtohet videoja e famshme e kryeministrit në fushatën e fundit ku thoshte ‘kushërinjtë janë për dasma, nuk ka me shku në ministri me krejt kushërinjtë’. Në atë video dëgjohet qytetari duke i thënë ‘ të lumtë goja’ që do të thotë qytetarët i kanë besuar Kurtit dhe LVV duke menduar që një mend meritokracia do të vjen dhe qytetarët pa lidhje partiake do të mund të punësohen në konkurse të hapura”, ka thënë Bajrami.

“Nuk dola këtu që të them që nuk ka pasur nepotizëm, në të kaluarën, jam këtu që në emër të grupit parlamentar të LDK-së të ju them që LVV ju ka mashtruar dhe po bën pesë fish çdo veprim që e ka kritikuar për 15 vite në opozitë”, ka shtuar ajo.

Bajrami tha se LDK ka ngritur shqetësim çështjen e emërimeve në ndërmarrje publike.

“LDK në vazhdimësi ka ngritur shqetësim çështjen e emërimeve mbi baza partiake-nepotike në ndërmarrjet publike dhe të pa varura. Tashmë ky fenomen është i rrezikshëm sepse konkursi në KEK po e dëshmon se zyrtarët e ndërmarrjeve publike në këmbim të favoreve për emërime familjare kanë përzgjedhur edhe familjarët e tyre”, ka thënë ajo.

Bajrami po ashtu ka thënë se po të mos ishin mediat për të denoncuar këtë rast ndoshta sot nuk do të ishte biseduar për të.

“Po të mos ishin mediat për ta denoncuar këtë rast ndoshta sot nuk do të ishim duke biseduar për të. LDK dje ka dorëzuar kallëzim penal dhe shpresojmë që organet të reagojnë dhe konkursi të kthehet në pikën zero. LDK dënon linçimin e mediave që po ju bëhet për denoncimin e këtij rasti”, tha deputetja Bajrami.