Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami për 'dështimin' e zëvendësimit të orëve mësimore: Kurti t'i kërkojë përgjegjësi ministres dhe ta shkarkojë menjëherë

Për “dështimin” e zëvendësimit të orëve të mësimit në dy të shtune radhazi, ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë përgjegjësi ministres Arbërie Nagavcit dhe që të shkarkohet menjëherë nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme.

Sipas deputetes së LDK-së, Arbërie Nagavci është përgjegjëse pse dështoi edhe këtë të shtunë zëvendësimi i orëve mësimore.

Kurse, sipas saj, kryepërgjegjësi është Albin Kurti, sepse thotë se po e toleron një ministre “të tallet me mijëra fëmijë e familje”.

“Kryeministri duhet t’i kërkojë ministres Nagavci që të arrijë sa më shpejt marrëveshje me prindërit për zëvendësimin e orëve të humbura shkaku i grevës. Nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme zëvendësimi i orëve mësimore atëherë ministres së Arsimit duhet t’i kërkohet përgjegjësi dhe të shkarkohet menjëherë.  Partia në pushteti erdhi në Qeveri për t’i zgjidhur të gjitha ”çështjet kombëtare e ndërkombëtare”, por po dështon në ekonomi, shëndetësi, diplomaci e më së shumti po dështon në arsim” – ka shkruar deputetja Hykmete Bajrami në rrjetin social “Facebook”, të dielen.

Ministria e Arsimit, më 4 tetor publikoi kalendarin që parasheh zëvendësimin e orëve të humbura për 22 ditët e grevës.

Sipas këtij vendimi, në muajin tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.

Në vendim po ashtu thuhet se Sipas këtij kalendari të vitit shkollor 2022/2023, gjysmë-vjetori i parë për të gjitha nivelet shkollore parauniversitare përfundon me datën 27.01.2023. Gjysmë-vjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023.

Mirëpo, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë para mediave se nuk do t’i zëvendësojnë orët e  humbura gjatë grevës këtë të shtunë, 15 tetor 2022.

Gjithashtu pasti reagime nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët përmes një postimi në Facebook kanë thënë se janë kundër mësimit të shtunave.

Greva në arsim ka filluar me 25 gusht dhe e njëjta është pezulluar që nga 1 tetori e deri në janar të vitit 2023.Ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat dhe deri tani ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët mes Qeverisë dhe sindikalistëve.