Bajrami: Për dallim prej kryeministrit, vajza ime është në shkollë publike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, teksa ka folur për gjendjen me grevën në arsim ka thënë se vajza e saj vijon mësimet në shkollë publike për dallim nga vajza e kryeministrit Albin Kurti që sipas saj është në shkollë në Norvegji.

“Për dallim prej kryeministrit vajza ime është në shkollë publike, e kam thënë edhe herën e parë kur kam bisedu, ndërkohë që i nderumi e ka vajzën në shkollë në Norvegji, besa edhe shumica prej jush” – ka thënë Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se nuk i ka dhënë përkrahjen e plotë Sindikatës sepse sipas saj është duke u zhvilluar një “lojë pa takt”.

“Unë nuk jom dalë për me i dhanë suportin e plotë sindikatës sepse edhe kjo që po bëhet është lojë tepër pa takt, me i portretizu opozitën që kinse po i mbështet sindikalistet në mënyrë që më ju kundërvu kësaj qeverie” – ka thënë tutje Bajrami.

Ajo po ashtu ka theksuar se Ligji për paga, i cili po diskutohet si zgjidhje për çështjen e grevave në Kosovë, nuk hyn në fuqi nëntë muaj pas miratimit.

“Të gjithë e dijmë që Ligji për paga që ka dal në konsultim publik e ka nenin e fundit që thotë se hyn në fuqi 8 muaj pas publikimit në gazetë zyrtare, uluni dhe premtojuni mësuesve që ai ligj hyn në fuqi për një muaj dhe dy muaj dhe unë jam e sigurtë që greva ndërprehet” – ka thënë Bajrami.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot debatin parlamentar për grevat në Kosovë.

Debati i cili po vazhdon qe dy të enjte, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në anën tjetër, që nga 25 gushti, ka filluar greva e përgjithshme në Kosovë.