Bajrami: Nuk po akreditohen programet në UP, po favorizohen universitetet private

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se pas 20 viteve është hera e parë që nuk ka pasur konkurs për pranimin e studentëve në universitetet publike në muajin korrik.

Ajo tha se Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ka marrë asnjë vendim.

“Pas 20 viteve është hera e parë që në muajin korrik nuk ka konkurs për pranim të studentëve në universitetet publike”, tha Bajrami.

Sipas saj, anëtarët e KShC-së me procedurë urgjente i pati miratuar shumica parlamentare me 17 qershor. Bajrami tha se pozita patën deklaruar se mungesa e kuorumit në KShC e paralizon sistemin e arsimit të lartë.

“Pse pas një muaji KShC nuk ka marr asnjë vendim”, tha ajo.

“Ajo çfarë kemi lexuar në media është se janë bllokuar 94 programe akademike në UP dhe po aq programe në universitet e tjera publike. Kjo zvarritje e qëllimshme e vendimmarrjes në KShC i ka paralizuar universitetet publike të cilat nuk po munden që të regjistrojnë studentë ndërsa kolegjet private po prezantojnë në rrjetet e tyre sociale regjistrimet e studentëve çdo ditë”, shtoi ajo.

Sipas Bajramit, KShC dhe të dërguarit në këtë Këshill me qëllim e kanë bllokuar vendimmarrjen në këtë institucion vital të shtetit për të favorizuar universitet private në kurriz të universiteteve publike.

“Jo vetëm që është e jashtëligjshme por është edhe e rrezikshme”, tha ajo.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, iu përgjigj deputetes Bajrami.

Ajo tha se në momentin që e ka pranuar detyrën e ka gjetur Këshillin Shtetëror të Cilësisë jo funksional.

“I kam fillu të gjitha procedurat me kohë dhe me rregull në mënyrë që ky Këshill të bëhet funksional. Kur i kemi pru në Kuvend ju kam tërheq vëmendjen tuaj sidomos opozitën që të jeni të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm sepse janë 240 programe që po presim për akreditim nga KShC. Por nuk kemi pas vullnetin e as dëshirën për ta votuar Këshillin”, tha Nagavci e cila shtoi se përkundër kësaj Këshilli u votu në Kuvend.

Nagavci tha se pasi është votuar Këshilli në Kuvend, mund ta thërrasin në raportim pasi Këshilli i përgjigjet Kuvendit.