Bajrami: Niveli parashkollor, prioritet i Qeverisë sonë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka marrë pjesë sot në përurimin e objektit të ri të çerdhes “Yllkat” në Prishtinë, ku ka shprehur kënaqësinë e saj që në ditën e parë të mandatit të Ministres në këtë dikaster, e fillon në mesin e fëmijëve të kësaj moshe.

“Fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe për ta duhet të punojmë ditë e natë, jo vetëm ne që jemi të kyçur në arsim, por të gjitha dikasteret, në mënyrë që të përmirësojmë kualitetin e jetës së tyre”, tha Bajrami.

Sipas një komunikate për media, ajo përmendi analizat e ekspertëve që tregojnë se dy vite të edukimit parashkollor ndikojnë në ngritje prej 40% të rezultateve në arsimin fillor dhe të mesëm.

Prandaj, ajo theksoi se, prioritet i kësaj Qeverie është ngritja e kapaciteteve të tilla jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që të ketë përfshirje sa më të madhe të fëmijëve në këtë nivel, i cili do të japë rezultate të mira në arsimimin e mëtutjeshëm.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Bajrami dje e pranoi detyrën si ministre e re e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ajo ka thënë se gjatë mandatit të saj do të mundohet që të rrit numrin e pjesëmarrjes së fëmijëve në institucionet parashkollore si dhe do ta rishikojnë kurrikulën.

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit

www.kallxo.com