Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami: Në buxhetin 2021 kemi përfshirë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID-19

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se në Projektligjin për buxhetin 2021 kanë përfshirë edhe 40 milionë euro shtesë për vaksinat kundër COVID-19.

Ajo shtoi se kriza pandemike siç duket do të vazhdojë edhe në tremujorin e ardhshëm të vitit 2021.

“Reflektuam koston e vaksinës, 40 milionë plus financim nga jashtë për koston e vaksinës që të blihen dozat për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Bajrami ka kërkuar nga deputetët që të mos propozohen në amandamente shtesë për shkak të mungesës së buxhetit, ose nëse propozohen të tregohen edhe burimet e financimit.

“Qeveria tashmë i ka të shterura të gjitha mënyrat e financimit. Qeveria nuk ka mjete të tjera shtesë”, tha ajo.

Bajrami shtoi se kanë akomoduar edhe buxhetin për zgjedhjet nacionale tek KQZ-ja.

Kuvendi sot pritet të votojë në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin e Kosovës të vitit 2021.