VIDEO - Bajrami - Nagavcit: Mos qofsha në lëkurën tënde

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami teksa ka replikuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka akuzuar Nagavcin për shkelje të Kushtetutës.

“Ju ministre prita që po na treguni qysh e keni shkelë Kushtetutën? Mos qofsha në lëkurën tënde, mos qofsha aty ku je” tha deputetja Bajrami, që në qeverinë Kurti 1 ishte ministre e Arsimit.

Bajrami këtë deklaratë e ka bërë pasi ministrja Nagavci mori fjalën për të replikuar lidhur me Projektligjin për Paga.

Sot gjatë seancës së Kuvendit, deputetja Hykmete Bajrami ka akuzuar ministren Nagavci për shkelje të kushtetutës.

“Kryeministri po harron që ministre të arsimit e ka zonjën Nagavci, e cila në kohën e zgjedhjeve lokale e ka shkel kushtetutën e Kosovës për me pengu reformën në arsim të ish-kryetarit Qëndron Kastrati me arsyetimin që 500 nxënës nuk po e vijojnë mësimin. Sot e njëjta, bashkë më kryeministrin qëndrojnë të relaksuar derisa 318 mijë nxënës janë jashtë bankave shkollore dhe jashtë çerdheve” – ka thënë Bajrami.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk i ka komentuar këto deklarata të deputetes Bajrami sot në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese në prill të 2022-ës e pati ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

Gjykata kushtetuese citon se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të kryetarit të Komunës, ndër tjerash, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Në atë kohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte konstatuar se vendimet përkatëse ishin në përputhshmëri me ligjet përkatësisht kompetencat vetanake të komunave.

Por disa prindër të nxënësve kishin refuzuar zbatimin e këtyre vendimeve dhe kishin kontestuar të njëjtat përmes konfliktit administrativ, duke kërkuar edhe nxjerrjen e masave të përkohshme me qëllim të pezullimit të zbatimit të vendimeve të Komunës.