Bajrami: Me urdhër të një gjykate jo kompetente nga llogaria e AKP-së janë ekzekutuar 3.5 milionë euro

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancë të Kuvendit ka thënë se janë ekzekutuar mbi 3 milionë euro nga xhirollogaria e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Bajrami ketë e ka quajtur “skandali 3.5 milionë eurosh në AKP”.

Bajrami ka thënë se më 30 dhjetor të vitit të kaluar nga llogaria e AKP-së janë ekzekutuar 3.5 milionë euro, me urdhër të një gjykate që nuk ishte kompetente.

“Më datë 30 dhjetor 2022 brenda 3 orëve me urdhër të një gjykate e cila nuk është kompetente janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga xhirollogaria e mirëbesimit, fondet e AKP-së që qëndrojnë në Bankën Qendrore të Kosovës. Po e them janë ekzekutuar nga një gjykatë jokompetente dhe përmbarues. E dimë të gjithë që për çështje të privatizimit është ekskluzivisht Dhoma e Posaçme pranë Gjykatës Supreme. Këto 3.5 milionë euro janë ekzekutuar me urdhër të gjykatave tjera”- ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se, Prokuoria ka arritur t`i bllokojnë 2.1 milionë euro mirëpo fondet e AKP-së të cilat janë disbursu tani janë 1.4 milionë euro.

Bajrami ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, komisionet funksionale dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të marrin informata sa më shpejtë dhe të dalin me emrat e “gjykatësve, gjykatave dhe përmbaruesve”, e po ashtu me hapat që do të ndërmerren.

Bajrami tutje ka thënë se “Krejt çka kemi parë për këtë rast është se ministrja e Drejtësisë ka suspenduar një përmbarues privat me kërkesë të AKP-së”.