Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami: LVV e Lista e Vuçiqit me aprovimin e Kurtit japin 11 milionë euro për rrymën në veri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrja, Hykmete Bajrami, ka adresuar kritika në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi në Kuvendin e Kosovës deputetet e kësaj partie votuan pro që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.

Në reagimin e ish-ministres së Financave thuhet se pro kësaj votuan deputetët e LVV-së dhe ata të Listës serbe.

“Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuciqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 MILIONË euro (11 000 000 €) për rrymën në veri. Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore”, thuhet në reagimin e Bajramit.

Ajo ka thënë se partia e Albin Kurtit nuk po i mban premtimet që i kishte dhënë sa ishte në opozitë.

“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, thuhet tutje në reagim.

“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës – buxheti i KOSTT-it është buxheti i shtetit. KOSTT është ndërmarrje publike. Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Krejt kjo ngjarje, sipas Bajramit, tregon një gjë ndërsa ka thënë se LDK do të mbikëqyrë secilin veprim të LVV-së.

“Ky vazhdim pagese tregon po ashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë”, thuhet në fund të njoftimit.

Kuvendi obligon KOSTT-in, të paguajë energjinë elektrike në veri

www.kallxo.com