Bajrami: LDK-në s’mund ta kushtëzojë askush që mos ta propozojë Presidentin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka deklaruar se LDK-në s’mund ta kushtëzojë askush që mos ta propozojë Presidentin.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK ka ditë që po zhvillojnë takime, por ende nuk ka asnjë rezultat për bërjen e koalicionit qeverisës.

Sipas deklaratave të këtyre dy partive, LDK-ja po e kërkon nga tash pozitën e presidentit të vendit.

Kurse, deputetja Bajrami në një publikim në Facebook është shprehur e ashpër ndaj VV-së.

“Propagandën dhe luftën speciale duhet ta ndalë Vetëvendosje nëse njëmend ka vendosur të ndërtojë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK po punon për ndërtimin e një Qeverie që do të ofrojë zgjidhje për secilin problem të qytetarëve. E jo Qeveri e cila rrëzohet pas një viti. Qeveri e cila nuk e përfundon mandatin”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kërkuar që të ndalen deklarimet e tilla.

“T’i lëmë deklaratat e të merremi vesh para se të prishet çdo urë bashkëpunimi. Kushtëzimi i Vetëvendosjes se nuk e pranojmë Presidentin nga LDK-ja është i papranueshëm. Kushtëzime të tilla s’mund të vendosin partitë që s’kanë fituar 51 për qind të votave”, thuhet në publikimin e saj.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.

VV – LDK, nga ‘harmonizimi’ te kushtëzimet