Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami: Kurti i ka blloku të hyrat vetanake të komunave, u flet për zotime të vitit tjetër

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e ka quajtur hipokrizi veprimin e kryeministrit Albin Kurtit për zotim të 200 milionë eurove më shumë  për komunat kur, sipas saj, po i mban të bllokuara të hyrat vetanake të komunave.

Sipas Bajramit, bllokimi i  37 milionë eurove, të hyra vetanake të komunave, ka ndikuar në shumë tendere e projekte.

“I ka blloku 37.5 milionë euro që 5 muaj, të hyra vetanake të komunave, janë qindra tenderë që s’po mund të shpallën: rrugë, ura, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qerdhe e shtëpi të shëndetit e ju flet për vitin tjetër.  Kjo më së paku është hipokrizi!”- është shprehur Bajrami.

Kryetarët e komunave të Kosovës gjatë ditës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna.

Kështu ka deklaruar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherit kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në takim me kabinetin qeveritar.

“Kemi kërkuar që të hyrat vetanake të komunave t’u barten komunave në pajtim me vendimmarrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pra ashtu që të gjitha fondet e pashpenzuara të komunave, të mbeten, të barten tek buxhetet përkatëse komunale e që kujtojmë se një gjë e tillë është plotësisht në harmoni ligjore e në kuadrin e gjerë të kompetencave menaxhuese të nivelit lokal” – ka thënë ai.

Akuza për bllokim të buxhetit ditë më parë erdhën edhe nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i cili i bëri thirrje Ministrisë së Financave që këto mjete tu alokohen komunave dhe të mos sabotohet puna që mund të kryhet me këto mjete.

Përparim Rama me kritika për Ministrinë e Financave, flet për shtim të inspektorëve e linja të autobusëve