Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajrami: Institucionet duhet të vendosin për normalizim të procesit mësimor

Ish-ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete  Bajrami, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që mësimi në vend t’i kthehet normalitetit dhe jo sipas skenarëve që janë përcaktuar nga MAShTI.

“Lehtësimi i parë, i domosdoshëm dhe i patejkalueshëm është vendimi për t’iu kthyer normalitetit të mësimit nëpër shkolla fillore, të mesme dhe eventualisht fakultete.  Masat mbrojtëse duhet të vazhdojnë krahas rifillimit normal të mësimit nëpër të gjitha shkollat e Kosovës”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

Sipas saj, në të dhënat e publikuara, del se 227 shkolla fillore dhe të mesme punojnë me skenarin e mësimit të shkurtuar. Ndërsa, ajo shtoi se 539 shkolla tjera po punojnë me skenarin e kthimit të plotë të nxënësve në bankat shkollore.

“Sikurse po punojnë me kapacitete të plota edhe të gjitha çerdhet në gjithë Kosovën.  Prandaj, është momenti i fundit që mësimi të kthehet në normalitet në të gjitha shkollat. Njëkohësisht të rritet edhe mbikëqyrja e masave si dezinfektimi dhe ajrosja sa më e shpeshtë e ambienteve shkollore”, ka thënë Bajrami.

Bajrami që në kohën e saj mësimi ishte zhvilluar vetëm përmes distancës, tani është e mendimit se mësimi i kombinuar është i dështuar.

“Mësimi i kombinuar  – një pjesë e nxënësve në klasë e pjesa tjetër në shtëpi – është i dështuar. Pra, shkollat s’kanë kushte, s’kanë përgatitje teknike dhe as trajnime të mësimdhënësve për një mësim të tillë. Prandaj, institucionet shtetërore duhet të vendosin sa më shpejtë të normalizojnë procesin mësimor në të gjitha nivelet përfshirë edhe universitetet”, thotë Bajrami.

Ajo shton se krahas lehtësimit të masave për shkollat dhe universitetet duhet të ndahen edhe fonde shtesë.

“Këto fonde duhet të përdoren ekskluzivisht për të përballuar kthimin e nxënësve në objektet shkollore.  Me këtë mënyrë të organizimit të mësimit përpos fëmijëve po pësojnë edhe prindërit si në aspektin e kohës ashtu edhe në aspektin financiar”, thotë ish-ministrja.

“Pra, është vështirësuar edhe më shumë jeta e familjeve tona. Qeveria duhet të mendojë pikërisht për lehtësimin e jetës së fëmijëve dhe rrjedhimisht edhe të familjeve që kanë fëmijë në procesin mësimor”, tha në fund Bajrami.

Normalizim të procesit mësimor ka kërkuar sot edhe SBAShK gjatë një takimi me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Derisa, ministrja i ka thënë se do të kërkojnë mbështetje për këtë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Viti i ri shkollor këtë vit ka filluar me katër skenare. Skenari i Rikthimit që parasheh mësimi të zhvillohet fizikisht me prezencën e të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe, skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.