
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, Foto: KALLXO.com
Bajrami i reagon Muratit për “mundësinë e tërheqjes nga shtesat nëse ndonjë qytetarë nuk ka nevojë”
Pas njoftimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, për qyteatarët që nuk kanë nevojë për shtesat e Qeverisë, mund të tërhiqen nga to, ka reaguar deputetja e LDK-së, ish ministre e Financave, Hykmete Bajrami.
Ajo nëpërmjet një statusi në Facebook ka kritikuar këtë vendim të Muratit, duke përmendur edhe mungesën e energjisë elektrike.
“Qytetarëve, të cilët në këto ditë të ftohta s’po kanë rrymë nga 8 orë, Hekurani sot ju paska dhënë një mundësi: ai paska thënë: ”nëse nuk i doni 100 euro, mos i merrni”, dhe po ju tregon mënyrën se si mund t’i refuzojnë ato“, – ka shkruar Bajrami
Tutje ajo ka thënë se i ka dy pyetje për ministrin Murati, duke pretenduar se ai po e shfrytëzon buxhetin e shtetit sikur të ishte buxheti i tij personal.
“1. A e kanë mundësinë qytetarët mos me i pagu faturat e rrymës, pasi që në këto ditë të ftohta po përballen me nga 8 orë reduktime? Dhe 2. A e kanë pasur qytetarët mundësinë mos me pagu 50% më shumë TVSH si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve? Dhe mos e trajto buxhetin e shtetit si me qenë buxheti yt personal, se nuk je duke bërë asgjë të jashtëzakonshme. Ti thjesht ke mbledhur tatime e taksa për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë, dhe meqë ke dështuar, tash po ua kthen qytetarëve një pjesë të parave të tyre. Kaq|, – ka shtuar ajo
Pasi kanë kaluar tre ditë prej se njoftoi së bashku me kryeministrin Albin Kurti se do t’i ndajnë nga 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç e pensionistët, ministri i Financave, Hekuran Murati ka ndarë një njoftim për ata që s’duan të përfitojnë nga kjo shtesë.
Murati ka ndarë një link përmes së cilit, sipas tij, qytetarët që nuk kanë nevojë për shtesat e Qeverisë, mund të tërhiqen duke e plotësuar një formular.
Murati prezanton mundësinë e kthimit të 100 eurove për kategoritë që s’duan t’i mbajnë ato