Bajrami: Drejtor të KEK-ut e kemi kryesuesin e Komitetit të Energjisë në LVV

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se në kushte normale drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës do duhej të zgjidhej me konkurs të hapur.

Sipas Bajramit, kryeshef i KEK-ut është kryesuesi i Komitetit të Energjisë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Të ishim në kushte normale, drejtori i KEK-ut do zgjedhej me konkurs të hapur dhe të vijë si ekspert nga fusha e shkencës, sektorit privat, e akademisë e të tjera, por ja që ne për drejtor të KEK-ut të arrestuarin tashmë e kemi kryesuesin e Komitetit të Energjisë në LVV, është një nga eksponentët e LVV-së që ka hartu politika për këtë parti, kjo nuk mundet me kalu pa u politizu”- ka deklaruar Bajrami.

“Korrupsioni nuk bëhet ndryshe, bëhet pikërisht me tenderë një burimorë”- ka shtuar ajo.

Në kundërpërgjigje të Bajramit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Nagip Krasniqi ishte emëruar përmes një konkursi të hapur.

“Konkursi pas të cilit është emëruar Nagip Krasniqi ka qenë konkurs i hapur, bordi e ka vlerësuar me më së shumti pikë këtë kandidat në proces të rekrutimit ka qenë e përfshirë edhe BDO e angazhuar nga ambasada britanike që e ka vlerësu si kandidatin e vetëm të emërueshëm, pas kësaj është emëruar si kryeshef. Kjo ka qenë në tetor të 2021, bordi i rregullt është emëruar disa muaj më pas”- deklaroi Rizvanolli.

“Bordi nuk ka asnjë anëtarë që ka ndonjë lidhje familjare apo partiake me LVV-në apo dikënd nga LVV-ja”- tha mes tjerash ministrja.

Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës në tetor të 2021-tës.

Nagip Krasniqi ishte më i poentuari edhe sipas eksperteve Britanik të kompanisë BDO, të cilët janë kontraktuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta drejtuese. Krasniqi ishte vlerësuar me 26.5 pikë nga 40 të mundshme nga ekspertët britanikë dhe njëkohësisht sipas tyre ishte i vetmi kandidatë i emërueshëm, pra që i plotëson kriteret për emërim në krye të KEK-ut.

Nagip Krasniqi për disa vite ka qenë drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Ky komitet sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë.

I pyetur nga KALLXO.com nëse është anëtar në Lëvizjen Vetëvendosje apo nëse është paguar për këshillat e ofruara, Krasniqi pati thënë se as nuk është anëtar e as nuk është paguar për punën në LVV.

“Nuk jam pagu dhe nuk jam anëtar i lëvizjes dhe asnjëherë nuk kam qenë formalisht anëtar”- ishte shprehur Krasniqi.

Ai pati shtuar se roli i tij në komitet ka qenë udhëheqës, mirëpo si pozitë nuk ka qenë formale brenda partisë.

Sot, Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit.

Më 25 prill, bordi i drejtorëve të KEK-ut mori vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv, bordi ka emëruar Perparim Kabashin, aktualisht drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Njeriu i Vetëvendosjes zgjidhet kryeshef i KEK-ut