Hykmete Bajrami: Avdullah Hoti na ka thënë të vazhdojmë bashkëpunimin me Kurtin

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, tha se pavarësisht kësaj kanë pasur kërkesë nga LDK që të bashkëpunojnë me kryeministrin, Albin Kurti.

“Të gjithë jemi befasuar duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendemi. Përndryshe vullneti nuk ka ra sepse situata është e tillë që ne duhet të mbajmë tempon e punës. Ne të gjithë ministrat e LDK-së, kemi marrë instruksione nga Avdullah Hoti që duhet të bashkëpunojmë me kryeministrin Kurti me ministrat e VV-së sikurse s’ka ndodhë asgjë dhe po vazhdojmë”, tha Bajrami në një intervistë për KALLXO.com

“Oferta e bërë nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është ofertë e LDK-së, meqënëse e ka bërë kryetari dhe mendoj se ka vend për reflektim”, ka shtuar ajo.

Intervistë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami

Intervistë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 mars 2020

www.kallxo.com