Bajrami: As sulmet terroriste në veri nuk e mbulojnë korrupsionin me kontrata të Qeverisë Kurti

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së Kuvendit, më 02.12.2024, ka deklaruar se “korrupsionin me kontratat njëburimore” të Qeverisë Kurti nuk mund ta mbulojnë as sulmet terroriste në veri të vendit.

“Korrupsionin potencial me 2123 kontrata që e keni bë pa shpallje të tenderit, me negocim të drejtpërdrejtë, nuk e mbulojnë as sulmet terroriste në veri dhe nuk e mbulon asnjë shpifje që po mundohesh me e bë ti dhe të gjithë eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk mundesh me e bë. Janë 2123 kontrata”- ka thënë Bajrami, duke i reaguar deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili ka folur për sulmin terrorist në veri.

Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit. Ky sulm terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë, teksa Serbia mohoi këto akuza.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.

Ndërkohë, gjatë fjalimit të saj në Kuvend, Bajrami ka thënë se nuk e ka nënshkruar asnjë kontratë njëburimore.

Ajo theksoi se deputetët e pushtetit kanë qenë kundër hetimit të të gjitha kontratave njëburimore.

“Drejtori i Thesarit ka shku aty ku mbahen paret me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, kështu që skandali i Thesarit nuk mundet me mbulu korrupsionin që ka me Martinin, Nagipin, Mujkën… Mos shpif në tempullin e demokracisë”- ka thënë ajo.

Rrustemi tha se paraqitja e Bajramit në foltoren e Kuvendit është “konfirmim i implikimit të saj”.

Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Kryeministri, Albin Kurti, thotë se qëndron me “krenari e vetëbesim” për mandatin katërvjeçar të qeverisë së tij.

Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Rrustemi i LVV-së akuzon opozitën për minimizim të rastit të Ibër-Lepenc