Bajram Zylfiu tregon si doli i gjallë nga grumbulli i të vrarëve në masakrën e Krushës së Vogël

Bajram Zylfiu është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël, në të cilën forcat serbe kishin vrarë mbi 100 qytetarë në marsin e vitit 1999.

Zylfiu në “Kallxo Përnime” ka rrëfyer se si kishte arritur t’i shpëtojë kësaj masakre.

Forcat serbe natën e 25 marsit 1999 kishin grumbulluar banorët e fshatit më pas duke i ndarë burrat dhe gratë.

113 burra ishin dërguar me duar mbrapa kokës në një shtëpi në Krushë të Vogël. Aty të mbështetur për mur, siç rrëfen Bajram Zylfiu, një pjesëtar i forcave serbe ka gjuajtur në drejtim të tyre me mitraloz fillimisht e pastaj me automatik.

Zylfiu tregon se kur kanë filluar gjuajtjet mbi të është rrëzuar njëri banor i vrarë dhe nuk ishte vënë re se kishte mbetur gjallë.

Pas kësaj, Zylfiu kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi për t’u fshehur në male për disa ditë me radhë, pa bukë dhe pa ujë.

“Më së pari na kanë grumbullu të gjithëve, na kanë lënë tërë natën. Hysen Ramadanin e kanë vra të parin, as ai nuk ka qenë i armatosur as asgjë, asnjëri nga ne në të vërtetë nuk kena pasë asgjë në dorë. Pastaj jena nda burra dhe gra. Pasi na kanë nda ushtarë serbë na kanë urdhëruar që të largojmë të gjitha gjërat nga xhepat. Gjatë tërë kohës kanë qenë duke e sharë UÇK-në, Clintonin e të gjithë. Na kanë thënë që me u bo rresht për dy dhe të vendosim duart në kokë. Na kanë dërgu më një shtëpi me dy dhoma dhe një korridor. Turma më e madhe ka qenë në korridor. Tani ka ardh veç një person me një mitraloz dhe ka gjuajtë në drejtim të neve, 113 persona kemi qenë aty. Pastaj kanë ardhë me Kallash, dhe kënd e kanë pa gjallë kanë gjuajtë në të. Unë kam shpëtu se kam qenë nën kufoma, kam qenë nën një djalë të ri që e kanë vra. Në të katërtën ditë unë kam nisë me humb vetëdijen pa bukë a prej të ftoftit, për të parën herë pas katër ditë kam pi ujë, kur i kam shti buzët në ujë sikur gaca”, rrëfën Zylfiu.