Bajram Mjeku: Kam kërkuar komision hetimor parlamentar për bordin e RTK-së

Anëtari i shkarkuar i bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bajram Mjeku ka reaguar pas vendimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e tij.

Përmes një statusi në facebook, Mjeku ka bërë publike kërkesën e tij, të qershorit në të cilën i ka kërkuar kryetares së komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal, Doarsa Kicës që të formohet një komisionit hetimor parlamentar për bordin e RTK-së.

“Kërkesa ime nga Kryetarja e Komisionit, as që është hedhur në diskutim para anëtarëve tjerë të Komisionit dhe ky fakt përbën shkelje flagrante të të drejtave e lirive të njeriut”, ka shkruar ai në facebook.

Në kërkesën e tij, Mjeku kishte theksuar se është e udhës që të hetohen të gjitha shkeljet të cilat mund t`i ketë bërë secili anëtarë i bordit të RTK-së.

“Përmes kësaj shkrese, kërkoj nga ju dhe deputetët tjerë, që të themeloni një komision hetimor parlamentar, i cili do t’i hetonte të gjitha shkeljet e mundshme ligjore të secilit anëtar të Bordit të RTK-së. Siç e dini edhe ju, secili anëtar i Bordit të RTK-së nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur një për një”, thuhet në kërkesën që Mjeku ia ka dërguar deputetes Kica.

Sot, deputet e Kuvendit të Kosovës, në votime të ndara kanë shkarkuar të gjithë anëtarët e bordit të RTK-së.

Me 63 vota për, dy abstenime dhe asnjë votë kundër, deputetët shkarkuan Bajram Mjekun nga bordi i RTK-së.

Kuvendi shkarkoi 8 anëtarët e Bordit të RTK-së, PDK thotë se u bënë shkelje ligjore e procedurale

Kërkesa e plotë e Mjekut dërguar kryetares së komisionit, Doarsa Kica-Xhelili

E nderuara zonja Kryetare,

Pasi në mbledhjen e fundit të Komisionit për Buxhet, Punë e Transfere në Parlamentin e Kosovës, u rekomandua që në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal të diskutohet për shkarkimin e mundshëm të anëtarëve të Bordit të RTK-së, ua drejtoj këtë kërkesë, të cilën fundja ligjërisht obligoheni ta trajtoni.

Përmes kësaj shkrese, kërkoj nga Ju dhe deputetët tjerë, që të themeloni një komision hetimor parlamentar, i cili do t’i hetonte të gjitha shkeljet e mundshme ligjore të secilit anëtar të Bordit të RTK-së. Siç e dini edhe Ju, secili anëtar i Bordit të RTK-së nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur një për një. Nga një komision hetimor parlamentar, kërkoj që njësoj të intervistohemi një për një dhe për secilin anëtar të mirret vendimi në të njëjtën mënyrë, para se emrat tonë të dërgohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vetëm një komision hetimor parlamentar i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do ta bënte të plotfuqishëm vendimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Vendimet tona në Bord, janë dëshmuar përmes votës dhe janë të vërtetuara edhe në procesverbale. Pikërisht në këtë pikë, gjithmonë e kam bërë dallimin e madh, pa e dëmtuar asnjëherë Radiotelevizionin e Kosovës dhe pa e dëmtuar në dobi timen, apo të ndonjë personi fizik a juridik.

Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit.