Bajram Hasani, ish-minister i Tregtise

Bajram Hasani e fton LVV-në t'i largojë inspektorët serbë që nuk dalin në vendin e punës

Kryetari e ri të degës së AAK-së në Gjilan, Bajram Hasani, ia ka rikujtuar Lëvizjes Vetëvendosje pyetjen parlamentare të deputetit Salih Zyba.

Në kohën kur Hasani kishte qenë ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ishte pyetur nga Zyba, në Parlament, rreth inspektorëve serbë në Mitrovicën Veriore.

“Deri kur Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të lejojë dëmtimin e buxhetit të shtetit duke dhënë paga për punëtorët që nuk dalin në vendin e tyre të punës?” kishte qenë pyetja parlamentare e deputetit Zyba.

Hasani ka shkruar sot se këta inspektorë janë ende në punë ndërsa ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje t’i largojë nga puna pasi tashmë kanë fuqi politike.

“Derisa po i shfletoja disa dokumente në shtëpi, rastësisht më zuri syri një letër në të cilën ishte një pyetje parlamentare që më ishte drejtuar nga deputeti Salih Zyba rreth inspektorëve serb në Mitrovicën Veriore.  Si rrjedhojë  e një marrëveshjeje në Bruksel rreth 300 zyrtar serb paguhen nga institucionet e Kosovës pa punuar fare. 25 prej tyre në MTI. Përkundër tentimeve të mia atë kohë, ata ende janë në punë.  Desha t’ua kujtoj Vetëvendosjes që ata ende janë në punë. Fuqinë politike e kanë. Le t’i largojnë nga puna dhe mos ta dëmtojnë më shumë buxhetin e Kosovës”, ka shkruar Hasani.