Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bajraktari: Projekti "Parku i aventurave" në Gërmi ka shkelje ligjore

Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se projekti i Komunës së Prishtinës për ndërtimin e ‘Parkut të aventurave’ në Gërmi, ka shkelje ligjore.

Sipas Bajraktarit, për projektin në fjalë nuk ka pasur debat publik ashtu siç e kërkojnë Ligji për Mbrojtjen në Mjedis, ai për Vlerësim të Ndikimit në Mjedis, si dhe Ligji për Mbrojtjen e Natyrës.

“Po ashtu, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje për natyrën ku jetojnë, për ambientin, është e drejtë kushtetuese, e për këtë kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ku ka vlerësuar rrethanat që kanë qenë të ngjashme me rastin tonë dhe ka vendosur që pamundësia që qytetarët të dëgjohen për ambientin ku ata jetojnë, paraqet shkelje kushtetuese”, ka thënë Bajraktari në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje, ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës ka zhvilluar disa takime me individë dhe organizata të shoqërisë civile, por sipas saj, nuk ky është debat publik.

“Nuk është ai debat publik, sepse debati publik duhet të publikohet paraprakisht përmes mjeteve zyrtare që ka komuna për komunikim. Këta janë kontaktuar individualisht si organizatë, ndërsa ky komunikim nuk vlerësohet që është përmbushur kriteri i debatit publik, sepse komuna do të duhej të publikonte në web-faqen e saj zyrtare, ku të gjithë qyetetarët kanë mundësi dhe qasje për t’u informuar dhe për të marrë pjesë”, ka thënë Bajraktari.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për projektin e Komunës së Prishtinës “Parku i aventurave”.

Ky projekt synon të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.

Të ftuar në këtë debat janë Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë”, Sami Behrami nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës; Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe Krenare Salihu nga WWF.