Bajraktari: Në Komunën e Drenasit s’mund të nisin procedurat e prokurimit pa pasur buxhet

Institucione të nivelit qendror e lokal shpesh projektojnë tenderë pa i pasur mjetet financiare të siguruara.

Por, kështu nuk është në Komunën e Drenasit.

Kushtrim Bajraktari, zyrtar kryesor financiar në ekzekutivin lokal të cilin e udhëheq Ramiz Lladrovci, tha se në secilin projekt të prokurimit janë paraparë edhe shpenzimet.

“Secili projekt është i buxhetuar për tre vite, asnjë projekt nuk zhvillohet tutje për prokurim, në qoftë se mjetet nuk janë në dispozicion, nëse mjetet nuk i zotërojmë për aktivitetin që është i paraparë, rrjedhimisht nuk mund të nis procedura e prokurimit”, deklaroi ai në emisionin “Kallxo Përnimë”.

“Mjetet janë të siguruara, veç e veç dhe planifikimi për vitet e ardhshme, nëse është kontrata më e gjatë, ne me buxhetet e viteve të ardhshme i planifikojmë obligimet e bartura të kontratës shumëvjeçare. Pjesa e mbetur planifikohet për projektet e reja”, tha ai.

Bajraktari foli edhe për borxhet e Komunës së Drenasit. 3 milionë euro sipas tij është një borxh i grumbulluar prej vitesh.

“Realisht, te taksat, te llogaritë e arkëtueshme, është një shumë e lartë që nuk e kemi inkasu, diku jemi te 3 milionë euro. Gjysma e saj është te tatimi në pronë dhe pjesa tjetër te taksa e ushtrimit të veprimtarisë biznesore. Këto janë mbledhur ndër vite”, deklaroi Bajraktari.