Bajra: BQK në Kosovë është entitet joproduktiv, kamatat e larta janë të papranueshme

Për Emanuel Bajrën, i cili për 16 vite radhazi ka qenë i angazhuar në sistemin bankar të Britanisë së Madhe, Banka Qendrore e Kosovës është joproduktive.

I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Bajra tha se BQK ka nevojë për një ligj të ri dhe ndryshim të karakterit të saj.

Sipas Bajrës, kamatat në bankat që operojnë në Kosovë janë shumë të larta dhe e quajti të papranueshme mosndërhyrjen nga Banka Qendrore e Kosovës.

“BQK faktikisht është preokupimi im më i madh për shkak se e shoh si një entitet joproduktiv në Kosovë. Nëse veç e marrim aspektin e rregullimit të sektorit bankar komercial në Kosovë, BQK këtu nuk ka kurrfarë impute që ajo ndërhyn diçka aty ose çështja e kamatave të larta. Është e papranueshme një gjë e tillë në Kosovë. Për Kosovën, për ekonominë e saj kamatat janë shumë të larta. Rruga e vetme për këtë është ndryshimi i ligjit për BQK-në, të ndryshojë strukturën dhe karakterin e BQK-së”, tha ai.